Nga Fatbardh Rustemi
Mirë librat, por dhe një bust i Ismail Kadaresë, shkaktoi debat dhe atje, ku s`duhet të ndodhte?! Ajo, që më tërhoqi vëmendje, ishte kjo akuzë ndaj botuesit Hudhri: “Të kujtohet te “Juvenilja”, kur më thoshe se nuk i lë të afrohen njerëzit (edhe miqtë e tij), sepse nuk paguajnë as kafen e tyre? Pikërisht sepse nuk shikoje dot miq afër Kadaresë, sepse e konsideroni pronën tuaj! Kjo është mënyra juaj: t’i sulmoni miqtë e tij, t’i ofendoni dhe t’i zvogëloni sipas kandarit tuaj.”
Qëlloi të njihesha me këtë debat sot, kur piva kafe me një shkrimtar të njohur. Ra fjala tek kafja me Kadarenë në “Juvenilja”. I thashë se isha i ftuar prej Ismailit, gjë që e mora dhe si ndjesë pas shumë vitesh që s`flisnim. Ata që ma prishën miqësinë në një shkrim i kam quajtur “mëkatarët e Kadaresë”. Kur Kadare e shkelte dhe t`i i ktheheshe, ai të kërkonte ndjesë. Mua më ka ndodhur dy herë. Por, ajo që funksiononte si mekanizëm vetëpastrues tek ai, ishte reflektimi. Dhe në kohën kur miqësia janë u prish dhe kur m`u bë ftesa, botuesi Bujar Hudhrit i qëlloi të ishte midis dhe: ka mbajtur një qendrim korrekt dhe për këtë, po i shpreh mirënjohje publike.
Kolegu, me të cilin piva kafe sot, më tha: “Një ftesë për kafe e kisha dhe unë, por nuk i shkova.” Më tha arsyen pse dhe unë i dhashë të drejtë. Madje shtova: “Kadareja, sikurse dhe Konica i pëlqente thashethemet, madje bëhej viktimë e tyre. Këtë e provova dhe në kurrizin tim.” Kam qenë në shtëpinë e Kadaresë dhe ai ka ardhur në shtëpinë tim bashkë me Helenën (në vitin 1984), madje ka bërë një vizitë dhe tek prindërit e mi, ku vëllait të madh, Gëzimit, i la dhe një autograf në serinë e librave. Meqë isha i ftuar, as që më shkoi në mend të paguaja kafet. (Kur shkova në Paris, nuk mund të ikja pa vizituar kafe "Le Rostand", ndaj u ula në tavolinën ku rrinte Kadare.)
Tjetër, që më bëri përshtypje, ishte dhe kjo: “Amanetin e lënë nga Kadare për mbrojtjen e tij kur të mos jetë dhe të figurave kombëtare, ai e kishte shumë të qartë prej kohësh. Ai nuk ia la amanet Skënder Bratajt, por intelektualëve shqiptarë. Ku bëni pjesë edhe ju, zoti Hudhri? Kadare e kishte të qartë luftën që filloi kundër figurave kombëtare, prandaj këshillonte: “Figurat kombëtare duhen mbrojtur, sepse ato janë pasaporta morale e një populli; pa to, kombi varfërohet në dinjitet.” Vetvetiu të vjen pyetja: ky debat a është në mbrojtje të shkrimtarit Kadare? Kurrësesi. Unë jam ndër ta, që, e kam mbrojtur shkrimtarin në vijimësi, aq sa armiqtë e tij bëheshin dhe të mitë. Dhe së fundi m`u turr një rrozhgaq, vetëm se sulmet ndaj shkrimtarit tonë i quajta me frymëzim antikombëtar. Më i egri nga të gjithë ka qenë Kapllan Resuli, i cili duke ndërsyer dhe të tjerë ka derdhur gjithë mllefin ndaj meje.
Nuk di a e ka sulmuar ndonjë zotin Brataj, pse ka mbrojtur shkrimtarin Kadare? Ajo që më çuditi ishte dhe akuza për “hipokrizi” botuesit, kur në gazetën e tij thuajse në çdo numër botohen shkrime për Ismail Kadarenë?! Lidhja shumëvjeçare e botuesit B. Hudhri me shkrimtarin I. Kadare kaloi në një miqësi e pandodhur në historinë tonë dhe, si e tillë, askush s`ka të drejtë të futet në mesin e tyre, kur shkrimtari iku nga kjo botë, duke i thënë mikut të vjetër: “Faleminderit, Bujar!” Falenderimi i tij i fshin të gjitha pakënaqësitë të çdo natyre, që të jenë, përderisa ai, botuesi i përzgjedhur "Onufri" dhe askush tjetër: do jetojë me krijimtarinë e shkrimtarit Ismail Kadare.
Kur Ismailin e takova pas shumë vitesh të zemëruar tek “Juvenilja” ma liroi karrigen aktori Flloko, për të cilin më tha:
-Timo është besnik.
-Pse dhe sot u dashkan besnikët?-i thashë si për ta ngacmuar. Për një moment mbeti, ndërkohë ndërhyn ime shoqe, e pranishme në atë takim.
-Duhen se të ngatërrojnë.
-Mirë e tha: të ngatërrojnë.-plotësoi ai...
