Hapësire reklamuese

OpEd

Rënia e një miti! Shuplaka që zgjoi publikun

Shkruar nga Newsbomb
Rënia e një miti! Shuplaka që zgjoi publikun
Mimoza Ahmeti

Nga Trendafile Visha

Produksioni i Ferma VIP bëri bingo me ftesën që i bëri Mimoza Ahmetit për t’u bërë pjesë e reality show-t.

Normal, ata ishin të bindur se një artiste karizmatike si Mimoza Ahmeti do t’u sillte rritjen e kurbës së klikimeve që gjenerojnë të ardhura.

Por ata kurrsesi nuk prisnin rënien e një miti.

- Është hera e parë që një personazh publik merr vëmendje kaq të madhe, në mënyrë të rrufeshme.

- Është hera e parë që një intelektuale, një artiste shumdimensionale si Mimoza Ahmeti, zgjon dhe nxjerr nga vetja opinionin publik.

Kjo nuk është thjesht vëmendje.

Kjo është e pazakontë.

- Ndryshe nga artistë të tjerë që morën famë në reality show për shkak të performancës brenda rregullave të formatit - emocionit, rrëfimit personal, lojës spontane, konfliktit, dinamikës, por jo domosdoshmërisht intelektit, Mimoza Ahmeti tërhoqi vëmendje me mendimin.

Ajo dha një goditje shpartalluese.

Theu mitin e krijuar në media, që para se të hynin në treg rrjetet sociale, se vetëm komerci dhe injoranca shesin.

Duke qenë pjesë e medias për më shumë se një çerek shekulli, e di mirë si funksionon tregu - ku për hir të klikimeve dhe parave, gjithnjë u jepet hapësirë VIP-ave të dalë nga hiçi.

Është tronditëse që “këngëtarucët” dhe “aktorucët” zënë ballinat, ndërsa personalitete si Inva Mula, Ramë Lahaj, Ermonela Jaho apo Mira Murati mbeten në cepa - kur dikush kujtohet për ta.

Po aq tronditëse është që hapësira u jepet gjithologëve të zbrazët, militantëve që përçajnë popullin, fallxhorëve, mashtruesve, hajdutëve, dhe jo specialistëve të fushës, jo njerëzve të ndershëm e të ditur.

Pronarët e mediave dhe servilët e tyre, në përpjekje për të ruajtur vendin e punës dhe për të prodhuar fitim, zgjedhin vulgaritetin dhe boshllëkun.

Dhe këtë e bëjnë të vetëdijshëm se po dëmtojnë thelbin: dijen, kulturën, të ardhmen e një populli, të një vendi.

Justifikimi është gjithmonë i njëjtë: “kështu ndodh kudo në botë”. Dhe në këtë rrjedhë që çon në regres, modeli që ofrohet është MAJMUNI.

…Por Mimoza Ahmeti, dhe të ngjashmit si ajo nuk e bëjnë majmunin, edhe kur trysnia është e gjithanshme: në zyra, rrugë, kafene, kudo. Ndaj them: kjo grua, kjo nënë, kjo intelektuale jokonformiste, goditi fort. Shënoi një gol të munguar prej kohësh.

Ka nga ata që thonë se ajo po bën revolucion.

Dua ta besoj këtë, edhe pse thonë se me një lule nuk vjen pranvera.

Por e rëndësishme është kjo: lulja çel edhe në shkëmb, edhe në akull, edhe në shkretëtirë.

Dhe në mos qoftë revolucion, dalja në skenë e Mimoza Ahmetit është shenjë shprese. Sepse kthimi i saj në fenomen tregon një gjë thelbësore:

ne ende kemi nerv.

...se NERVI ynë nuk ka vdekur.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese