Tre vota me ngjyrë të ndryshme nga ato standarde të votimit janë bërë shkak për një debat të fortë te KZAZ nr.40, e cila ndodhet në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë. Ato i përkasin Partisë Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj dhe ai ka zbarkuar aty menjëherë bashkë me stafin e tij.
Fillimisht u raportua për shtatë vota, por nga këqyrja e kujdesshme e tyre nga Grupet e Numërimit të Votave (GNV), rezultoi se ishin tre vota të tilla me ngjyrë më të zbehtë se të tjerat.
Newsbomb.al sjell më poshtë debatin e ndodhur mes kryetarit Agron Shehaj, i cili kërkonte të shikonte fletët e votimit, ndërsa sekretari dhe kryetarja e KZAZ nr.40 i kanë bërë me dije se sipas ligjit ato janë mbyllur në zarf dhe do i dërgohen KQZ për verifikim.
Përfaqësuesit e kësaj qendre numërimi i kanë njohur të pranishmit me të drejtën e tyre për të kërkuar rivlerësim në KQZ, sepse asnjë fletë nuk do të humbasë por do të rivlerësohen, ndërsa Partia Mundësia yshon për manipulim të procesit për shkak të garës për mandatin e dytë në kryeqytet.
Agron Shehaj: Po kërkojnë të manipulojnë votat tona. Nuk in tregojnë. Vjen polici thotë duhet të dilni jashtë. Keni dhënë urdhër të na largoni të gjithëve jashtë (i drejtohet kryetarit të KZAZ)?
Sekretari i KZAZ: Jo të gjithë, personat problematikë. Fletët e votimit i përkisnin Partisë Mundësia. Ishin fillimisht 7 fleta, por 3 fleta më pas u konsideruan të pavlefshme. Nuk është se humbasin, ato do i dërgohen KQZ për verifikim.
Agron Shehaj: Ju nuk mund të bëni çfarë të doni. Sqaroni vëzhguesit se përse nuk quhen.
Sekretari i KZAZ: U mor vendimi se numëruesit u ndjen të kërcënuar duke u ardhur sipër tavolinave.
Agron Shehaj: Ata kërkuan të fotografonin votat. Ju po vjedhni vota.
Sekretari i KZAZ: Jo unë nuk po vjedh vota. Kjo është akuzë shumë e rëndë. Mund t’i drejtohesh organeve kompetente.
Agron Shehaj: Po ku ta dimë ne se tavolinat janë të mbyllura?
Sekretari i KZAZ: Asnjë kuti nuk do të preket apo të numërohet. Do qëndrojë tavolina siç është.
Agron Shehaj: Mund ti shikojmë 7 votata që i quani të pavlefshme?
Kryetarja: Atë e vendosin grupet e numërimit. Votat tuaja janë aty.
Agron Shehaj: Jo nuk janë aty, i keni quajtur të pavlefshme.
Kryetarja: Ju lutem, a mund ta vazhdojmë procesin normalisht?
Gazetari: Po ku është garancia që procesi do të vazhdojë nëse dalim jashtë?
Kryetarja: Po edhe nuk mund të dalin, mjafton të ulen qetësisht në vendet e tyre.
