Zhvillime të rëndësishme do të ndodhin sot në Kongresin e Partisë Socialiste, ku do të ketë vendime befasuese. Burime të besueshme bëjnë me dije për Newsbomb.al që kryetari Edi Rama ka vendosur të mos i besojë më një kandidim të ri “ish”-ëve në nivel drejtorish.
Kësisoj, Forumi me 350 anëtarë do të ndahet në dy pjesë. 156 anëtarë do të jenë të rinj, që do të zgjidhen sot nga delegatët e kongresit, ndërsa pjesa tjetër janë anëtarë të asamblesë me kontribut për shkak të funksioneve publike që mbajnë në nivel qëndror dhe lokal.
Kreu u qeverisë më herët ka kërkuar që për herë të parë në Asamblenë e re të mos ketë drejtorë drejtorish. Votimi për anëtarët e rinj të Asamblesë do të nisë menjëherë pas fjalimit që do të mbajë Edi Rama, nga votim i cili më pas do të dalin dhe sekretariatet e reja të PS.
Edi Rama do të mbajë fjalën e tij, ndërsa pritet me interes se çfarë objektivash do t’i vendosë PS-së për parlamentaret e 2025-s. Menjëherë pas fjalimeve do të nis procesi votimit për anëtarët e rinj të asamblesë e cila si çështje primare do të ketë zgjedhjen e sekretariatit të ri të PS, i gjithi i shkarkuar nga Rama, prej Korrikut 2023.
Gjithashtu, në kongres është parashikuar edhe vendosja e dy paneleve, ku do të flitet për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe turizmin. Sikurse do t’i bëhet një analizë çfarë ka arritur në këto tre vite qeverisja socialiste, e cila është në pushtet përmes një mandati te tretë qeverisës.
Po ashtu mendohet se në këtë kongres do të bëhet me dije edhe emri që do të zëvendësojë dhe Lindita Nikollën, e cila dha dorëheqje si kryertare e Kuvendit. “Lart e poshtë” po qarkullojnë disa emra që Rama mund të propozojë për Kryetar Kuvendi.
Elisa Spiropali shihet si një kandidaturë e mundshme, megjithatë nuk mund të mungojë ndonjë surprizë nga kryeministri që në fakt shquhet për të tilla. Listës së "thashethemeve" së fundmi, i është shtuar edhe Bledi Çuçi që aktualisht është kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
