Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari ka ardhur me një postim në rrjetet sociale ku dhe ka bërë me dije se për zgjedhjet e 11 Majit do të garojë në listat e hapura.
Vetëm pak orë larg publikimit të listave zyrtare nga ish-kryeministri Berisha, Muçollari ka theksuar se do të vijojë të mbajë të njëjtin qëndrim që ka pasur edhe para procesit të Primareve, të garojë në listat e hapura.
“Unë vetë e kam bërë të ditur edhe më herët, madje këtë qëndrim ia kam komunikuar edhe Kryetarit të Partisë, përpara procesit të primareve, dhe i qëndroj këtij parimi: do të jem në listën e hapur. Ky është një moment jetik për vendin, për shoqërinë, për PD-në. Më pas vjen në rëndësi karriera e secilit. Shqipëria ka nevojë për ndryshimin e qeverisë. Që ndryshimi të vijë, duhet luftuar për çdo votë. Për çdo votë luftohet vetëm në listën e hapur", ka thënë ai.
Vlen të theksojmë se në procesin e Primareve Muçollari arriti që të fitonte 666 vota duke u rradhitur te më të votuarit.
Postimi i Muçollarit:
Pse kam zgjedhur listën e hapur. Sot, në mbledhjet e Kryesisë së PD dhe të Këshillit Kombëtar, do të finalizohet ekipi i përfaqësuesve të PD për zgjedhjet e 11 majit. Është vetëm një nga etapat, pasi Partia Demokratike është tashmë në këtë betejë kudo me njerëzit, strukturat e saj në çdo seksion, grupseksion e degë.
Ka vëmendje, ka pritshmëri dhe patjetër do të ketë edhe debate. Falë Zotit, PD e ka debatin pasuri të saj. Ditën që s'do të ketë debat, s'do të ketë më PD. Këtu jemi shumë ndryshe nga kundërshtarët tanë.
Unë vetë e kam bërë të ditur edhe më herët, madje këtë qëndrim ia kam komunikuar edhe Kryetarit të Partisë, përpara procesit të primareve, dhe i qëndroj këtij parimi: do të jem në listën e hapur. Ky është një moment jetik për vendin, për shoqërinë, për PD-në. Më pas vjen në rëndësi karriera e secilit. Shqipëria ka nevojë për ndryshimin e qeverisë. Që ndryshimi të vijë, duhet luftuar për çdo votë. Për çdo votë luftohet vetëm në listën e hapur.
