Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat dhe protestuesit, të cilët prej 26 ditësh po kërkojnë dorëheqjen e tij. Kësaj here, kreu i qeverisë ka publikuar një tjetër protestuese, bëhet fjalë për Ikballe Huduti, predikuese e njohur e fesë islame dhe figurë që shpesh ka tërhequr vëmendjen me deklaratat e saj në studiot televizive shqiptare.
Përmes këtij reagimi kryeministri ka sqaruar se kritikat e tij nuk drejtohen ndaj qytetarëve që protestojnë, por ndaj atyre që, sipas tij përpiqen të përfitojnë politikisht apo ideologjikisht nga protesta.
“Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër”, shprehet kryeministri, teksa i cilëson këta persona si individë që sipas asaj që ai thotë janë të nxitur nga interesa të ngushta dhe që kanë deformuar qëllimin fillestar të protestës.
Më tej, Rama ndalet te figura e Hudutit, duke publikuar fotografinë e saj krah ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejaddhe dhe duke pretenduar se ajo ka mbajtur qëndrime radikale në të kaluarën. Sipas tij, prania e saj në protestë është një tjetër shembull i personave që në këndvështrimin e qeverisë, po përdorin kauzën e protestuesve për qëllime të tjera nga ato të shpallura publikisht.
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
Mos u merr me protestuesit…
Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.
Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës.
