Ka nisur procesi i formalizmit të ndërtimeve të pozicionuara përgjatë gjurmës së hekurudhës, sipas një njoftimi të fundit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Në njoftim theksohet se janë përfshirë Njësitë Administrative 9 dhe 11 si edhe zona e Mëzezit, Katundit të Ri dhe Kasharit. Ky proces do të trajtë rreth 500 objekte të identifikuara në këto zona. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bashkëpunuar më ndërmarrjen e hekurudhave me qëllim saktësimin e kufijve të kalimit të linjës, dha ka vënë në lëvizje strukturat vendore të kadastrës.
“Në bashkëpunim me hekurudhën shqiptare është përcaktuar me saktësi gjurma e hekurudhës, çka ka mundësuar evidentimin e plotë të ndërtimeve të pozicionuara përgjatë saj. …Drejtoritë Vendore Tiranë Veri dhe Tirana Rurale 2 kanë nisur verifikimet në terren dhe po trajtojnë çdo objekt të ndërtuar pa leje ose në kundërshtim me lejen e ndërtimit, që plotëson kushtet ligjore për legalizim, pavarësisht nëse është kryer apo jo vetëdeklarimi në periudhat e mëparshme”, njofton ASHK.
Gjithashtu në njoftim theksohet se objektet e ndërtuara brenda afateve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi por që nuk janë vetëdeklaruar në parë, qytetarët do të mund të plotësojnë formularin përkatës gjatë verifikimeve në terren si edhe te kryejnë pagesën e shërbimit.
“Për objektet e ndërtuara brenda afateve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe që nuk janë vetëdeklaruar më parë, qytetarët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin përkatës gjatë verifikimeve në terren dhe të kryejnë pagesën e shërbimit, duke mundësuar nisjen e menjëhershme të procedurave të trajtimit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.”, sqaron njoftimi.
ASHK shton se ky proces kërkon angazhimin e banorëve me qëllim shmangien e vonesave procedurale.
“Procesi i legalizimit përfshin verifikim të detajuar në terren për secilin objekt, ndaj bashkëpunimi i qytetarëve mbetet thelbësor për përshpejtimin dhe përfundimin e procedurave. Ftojmë banorët e rreth 500 objekteve të identifikuara në zonat përgjatë hekurudhës të bashkëpunojnë me specialistët e terrenit, për të garantuar një proces të shpejtë, të saktë dhe transparent legalizimi.”, mbyllet njoftimi.
