Protesta e opozitës ka nisur me tensione dhe përleshje fizike, në disa nga pikat kryesore ku janë grumbulluar. Siç shihet nga pamjet dhe raportimi i drejtpërdrejtë, qytetarët e shumtë në numër kanë bllokuar disa nga nyjet e qarkullimit pasditen e kësaj të marte, siç ishte paralajmëruar.
Vihen re tensione të forta mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, në zonën e "Rrugës së Elbasanit" aty ku turmës i prinë Sekretari Flamur Noka.
Ndërkohë, në zona të tjera të kryeqytetit turmat drejtohen nga Gazment Bardhi, Klevis Balliu, Luçiano Boçi, Jozefina Topalli etj. I gjithë shtabi politik i Partisë Demokratike është derdhur në rrugët e Tiranës, të mbështetur nga funksionarët e Partisë së Lirisë.
"Të nderuar qytetarë, ju lutem lironi rrugën", është një nga thirrjet kryesore me megafon që drejtuesit e Policisë së Shtetit u kanë drejtuar protestuesve.
Qytetarëve u kërkohet të lirojnë rrugët sepse përbën vepër penale, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk ka dhënë leje për protesta. Megjithatë, demokratët janë derdhur nëpër rrugët e kryeqytetit dhe sheshin përpara Bashkisë së Tiranës.

