Një ditë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, ku iu bashkuan edhe qindra shqiptarë të ardhur nga diaspora, por dhe nga Maqedonia e Kosova, kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht pas një postimi të bërë nga një qytetare nga Tetova
Në reagimin e tij të bërë në rrjetet sociale Rama thekson se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë, pasi janë popull shtetformues në vendin e tyre, ashtu si edhe shqiptarët e Kosovës që kanë shtetin e tyre të pavarur.
Ndër të tjera Rama kritikoi përdorimin e termit “diasporë” për pjesëmarrësit e ardhur nga këto troje shqiptare.
“Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.
Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:
Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?”, shkruan Rama, duke shtuar më tej se përdorimi i flamujve kombëtarë dhe simboleve shqiptare në protesta për të kërkuar rrëzimin e qeverisë së Shqipërisë dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë që kryeministri ka kërkuar më tej që kjo deklaratë e tij të mos interpretohet si një sulm ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pasi nuk e konsideron këtë të fundit si përgjegjës për aktivistët e Vetëndosjes që janë përfshirë në protestën në Tiranë.
Reagimi i plotë:
Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!
Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.
Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:
Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?
Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.
Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:
“Ju rrugaça e sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni n’mushkni…”
Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.
