Një debat në distancë është zhvilluar këtë të diel mes kryeministrit Edi Rama dhe analistit Mustafa Nano, në lidhje me protestën që po mbahet në Tiranë kundër projektit 4 miliardë euro të Zvërnecit.
Fillimisht, ishte analisti ai që, përmes një postimi në Facebook, u bëri thirrje protestuesve që të vazhdojnë siç e kanë nisur dhe të largojnë “farën e keqe të berishianëve”.
“Protestues, vijoni siç e keni nisur, veç largoni nga vetja islamikët pro-Hamas dhe farën e keqe të berishianëve”, shkruante Nano në Facebook.
Por ky postim i Nanos duket se nuk i ka pëlqyer kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë festës së 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Elbasan e sulmoi ashpër analistin. Rama kujtoi bisedën për emërimin e Nanos si ambasador të vendit tonë në Zvicër, detyrë që, sipas kryeministrit, ai nuk arriti ta përmbushte.
Por kreu i qeverisë nuk u ndal me kaq, teksa tha se analisti nuk mund t’i bëjë “moral” dhe nuk nguroi ta quante edhe spiun.
Rama: Na tregojnë neve tradhtarët, gazetarë dhe analistë që paguhen me lekë në dorë. Nuk deklarojnë pagat e tyre dhe i bëjnë pushimet në botë. T’i bëjnë ku të duan, por moral mua dhe Partisë Socialiste nuk mund të na bëjnë.
Moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time, u shtri në kolltuk dhe tha: ‘Nuk kam më fuqi të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador’. Mirë, i thashë, të shohim si mund ta bëjmë këtë. Kemi pasur shkrimtarë e poetë ambasadorë, por Muçi nuk është Faik Konica.
Muçi i shkretë shkoi në Zvicër dhe nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe me një sekretare. Nuk bëri një punë për vendin e vet dhe e la në mes detyrën. Kthehet mbrapsht dhe më thotë mua si duhet ta bëj detyrën.
Muçi tregon oligarkët që nga mëngjesi deri në darkë në zyrën time. Por ti, mor Muç, spiun i Sigurimit je? Ku e di ti se kush hyn në zyrën time?
