Kryeministri Edi Rama këtë të premte po zhvillon një takim me banorët e Zvërnecit në lidhje me investimin që do të bëhet në këtë territor.
Rama gjatë bashkëbisedimit, u përgjigj duke sqaruar se pronat e kthyer nuk janë të reja dhe nuk janë kthyer nga kjo qeveri. Sipasj tij, është gjykata që vendos kthimin e pronave dhe jo qeveria.
“Prona është kthyer vite më parë dhe pronat e kthyera janë pronat e trashëguara. A ka kthime të gabuara? Ka, por këtë e vendos vetëm gjykata, jo qeveria apo unë. Nuk kam takuar asnjë nga pronarët që përfliten dhe nuk e di marrëveshjet mes tyre dhe investitorëve”, tha Rama.
Më tej se pjesa e pronave private nuk mund të shitet pa vendimin e pronarëve dhe komentoi edhe lidhur me Sazanin. Ndërsa theksoi se SPAK bllokoi llogaritë e investitorëve për shakak të problemeve të pronësisë.
Biseda:
Banori: Më ka prekur ajo që thatë ju në fillim, që prona është e trashëguar brez pas brezi.
Rama: Jo, nuk është e vërtetë. Kot nuk thonë që gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen. Unë jam shumë i kujdesshëm në ato që them dhe kam thënë që prona është kthyer. Është kthyer vite më parë dhe nuk është kthyer nga kjo qeveri. Dhe pronat e kthyera janë pronat e trashëguara. A ka kthime të gabuara? Ka, por këtë nuk e vendos unë dhe qeveria, as noterët; këtë e vendos vetëm gjykata. Kështu që ndjesë nëse je ndier i lënduar, por nuk më ke kuptuar. Nuk kam takuar asnjë nga pronarët që përfliten dhe nuk e kam idenë fare se çfarë marrëveshjesh kanë investitorët me pronarët.
Dhe kur kanë dalë fjalët për interesin e familjes së presidentit të SHBA-së për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë qartë se Sazani është i shtetit dhe ajo pjesë përballë është private. Kështu që, kur vjen puna te shitja e pronës private, atë e vendosin pronarët dhe jo ne apo protestuesit.
Pjesa tjetër është si ka vijuar, mes institucioneve dhe investitorëve, të cilëve u është kërkuar hipoteka. Kjo është pjesa që ka të bëjë me shtetin dhe, për sa kohë është blerë nga investitorët, është e tyre.
Pjesa tjetër, që ka të bëjë me pronarët, ka rezultuar se ka një hetim për subjektin prej disa kohësh dhe për këtë arsye është bllokuar fondi i investitorëve, por transaksioni ka ndodhur. Fondi është bllokuar, çka do të thotë se është një garanci pozitive për këdo që do ta fitojë pronën në gjykatë.
Këtu është bërë një çorbë e madhe, sepse hetimi nuk bëhet për investimin, projektin apo zhvillimin. Hetimi është një proces për një subjekt që ka shitur pronën. Dhe pasi janë marrë verifikimet nga Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave, SPAK-u i ka bllokuar fondet te noterët.
