Kryeministri Edi Rama është duke mbajtur fjalën në Kongresin e PS, ku i bindur u shpreh se socialistët do të fitojnë me rezultate si asnjëherë më parë zgjedhjet e 2025.
Rama gjatë fjalës së tij tha se PS do i duhen emrat e vjetër të deputetëve, por që gjithashtu do i duhen edhe emrat e rinj.
“Mandati ynë i katërt do të jetë mandati i pathyeshmërisë së sigurt. Mandati shumë i ngjeshur për nga sfidat dhe punët, për të mbyllur me sukses procesin e negociatave të anëtarësimit në BE. Kuvendit të ri nuk do t’i mjaftojë përvoja e deputetëve me vjetërsi dhe përgjegjshmëri. Me të rinj dhe me të vjetër s’kam parash moshën, por njerëz të rinj, figura të reja publike, me vullnet, pavarësisht gjinisë dhe vendndodhjes dhe mbiemrit dhe pasurisë.
Kjo vlen për të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë e çdo krahine, në sektorin publik apo privat, me banim në Shqipëri dhe jashtë saj. Më vjen mirë që kur bëhet fjalë për shqiptarët jashtë vendit, për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë, për të fituar në 12 qarqe. I përshëndes delegatët e ardhur nga jashtë. Ata nga Greqia, besnikërisht janë këtu të pranishëm në çdo kongres. Sot ndihem më mirë para jush dhe përcjell mirënjohjen time ndaj shqiptarëve në Greqi dhe Itali që më dhuruan një energji të jashtëzakonshme, që bën të duket çdo mal i kapërcyeshëm”, tha ai.
Po ashtu kreu i qeverisë ka folur edhe për votën e emigrantëve duke thënë se ndyshimet në Kodin Zgjedhor e mundësojnë votën e emigrantëve.
“Kurrë nuk është vonë për të vënë në vend një të drejtë për shqiptarët në botë. U them sot i lehtësuar Bujrum, Shqipëria është vendi ynë për të votuar. Nëse nuk vini këtu dërgojeni votën me postë për të vendosur bashkë kush duhet ti drejtojë punët e shtëpisë tonë të përbashkët”, tha ai.
