Belinda Balluku është vlerësuar me superlativa nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe salla e ka pritur me duartrokitje vendimin, se pozicioni i saj mbetet i pandryshuar në kabinetin qeveritar "Rama 4".
Ajo do të vazhdojë të jetë numri dy i Qeverisë shqiptare dhe drejtuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke "blinduar" edhe për një mandat tjetër dy nga pozicionet strategjike për drejtimin e vendit.
"Konfirmoj zëvendësen time, Belinda Balluku (salla duartroket). Kontributi i së cilës deri më sot ka folur vetë më shumë se çdo fjalë. Do të drejtoj edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, sepse ka fituar qëndrueshmërinë që edhe mund të forcohet.
Tipari kritik i saj ndaj punëve që drejton vet, është një e dhënë shumë premtuese për të besuar se do të ecim më mirë dhe më shpejt, edhe në drejtime ku jemi shumë përpara dhe ku jemi shumë më mbrapa", u shpreh kryeministri Edi Rama.
Belinda Balluku është emëruar ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019, si dhe ZëvendësKryeministre që prej gushtit të vitit 2022. Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, ajo drejtoi qarkun e Fierit dhe arriti një rezultat plebishitar, duke siguruar për herë të parë 12 mandate për Partinë Socialiste.

