Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas kritikave për dritëhijet e ngjarjes në Pogradec dhe për mënyrën e dorëzimin e autorit të vrasjes së Egli Progës.
Rama ka dënuar ashpër ata që ai i cilëson si krijues të "çorbës së pisët" kundër Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare, duke theksuar se dorëzimi i autorit nuk ishte një akt vullnetar, por rezultat i presionit dhe punës së policisë.
Në një reagim të gjatë, Kryeministri theksoi se nuk ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore nga shteti, dhe kritikoi ata që kanë përhapur dizinformime për të helmuar opinionin publik. Sipas Ramës, dalja publike e niveleve të larta të Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare ishte e nevojshme për të adresuar spekulimet dhe për të treguar faktet e vërteta, të cilat janë të dokumentuara në dosjet e të dyja institucioneve.
"Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti, se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës qysh në krye të herës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik," shkuran Rama.
Rama përfundoi duke theksuar se maskarada e krijuar rreth kësaj ngjarjeje nuk ka asnjë bazë në realitet dhe është një përpjekje e qëllimshme për të denigruar punën e institucioneve shtetërore.
Reagimi i plotë i Ramës:
Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë, e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!
Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti, se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës qysh në krye të herës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.
Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit dhe të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve, e jo sajesave të njëri-tjetrit.
Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e deri edhe sekondat e thirrjeve dhe veprimeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë ku gjithkush mund të shohë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë, të cilat maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.
Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë…
— Edi Rama (@ediramaal) August 14, 2024
