Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Sali Berisha u kërkon falje ish-pronarëve dhe të persekutuarëve politikë, u jep fjalën e burrit: Detyrimin ndaj jush e konsideroj si borxhin e nderit tim

Shkruar nga Newsbomb

Sali Berisha u kërkon falje ish-pronarëve dhe të

Ish-kryeministri Sali Berisha nga bulevardi te Ish-Stacioni i Trenit u ka bërë thirrje shqiptarëve që më 11 Maj t’i drejtohen kutive të votimit dhe të votojnë Partinë Demokratike, si forcën politike për të shpëtuar vendin e tyre, për të rritur mirëqenien dhe për të ndërprerë shpopullsimin e vendit.

Përpos premtimeve të cilat i ka përsëritur me dhjetëra herë gjatë kësaj fushate, Berisha u përcolli një mesazh edhe ish-pronarëve si dhe të përndjekurve politikë.

Duke u kërkuar ndjesë për ligjet e miratuara më herët në dëm të tyre, ish-kryeministri i dha fjalën e burrit se që mandatin e parë do t’ia kthejë të gjitha ato që ata meritojnë.

“Një mesazh e kam për ish-pronarët të përndjekurit politik duke u shprehur nderimin më të madh, por dhe duke kërkuar dhe ndjesë për gabimet që kjo parti ka bërë në të shkuarën në ligje të caktuara. Ju jap fjalën e nderit, se detyrimin që shoqëria shqiptare ka ndaj tyre Sali Berisha e konsideron borxhin e nderit të tij dhe ai borxh do të shlyhet brenda një mandati. Do të anulojmë të gjitha ligjet e mëparshme”, tha Berisha.

Ndërkohë që përpos falënderimeve dhe mirënjohjeve për të gjithë mbështetësit, ai theksoi se fitorja e PD-së do të shënojë një bashkëpunim të ngushtë me liderët e mëdhenj ndërkombëtar, si presidenti Donald Trump dhe Merz.

“Jemi mirënjohës për mbështetje nga të gjithë ata që e besuan këtë kauzë. I nderuar zoti Beyer, mbetemi përjetë mirënjohës ndaj mbështetjes tuaj, por gjithashtu përshëndes kancelarin Friedrich Merz, që në krye të CDU-së dhe Gjermanisë do të na ndihmojë për të vendosur një bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit:

Miqtë e mi, secili prej jush, qindra mijëra të tjera opozitare e opozitarë që nuk janë këtu sot, meritojnë një mirënjohje të pakufishme pasi ju me energjitë tuaja, me guximin tuaj, me entuziazmin tuaj, mbollët në një muaj rresht në të katër anët e Shqipërisë filizat e shpresës, dritën e fitores në zemrën dhe mendjen e të gjithë shqiptarëve.

Ju arritët me përkushtimin tuaj, me fisnikërinë tuaj, me përulësinë tuaj, të fitoni zemrat dhe mendjen e qindra mijëra shqiptarëve. Ju bëtë të pabesueshmen, të besueshme, irealen, reale, ju mblidheni sot në prag të një fitoreje madhështore.

Sot vetëm një ditë na ndan nga 11 Maji, dita e vendimit më të rëndësishëm që ne shqiptarët e të gjitha gjenerateve, kemi marrë dhe do marrim në jetën tonë. Ditën e vendimit me të cilin ne na jepet shansi për të shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar sqiptarët, nga kjo diktaturë që e shkretëtoi atë, që e varfëroi atë, që e izoloi atë më shumë se çdo regjim tjetër në kohëra.

Ndaj dhe sot, këtu para jush unë dua t’u bëj një thirrje qindra e mijëra burrave dhe grave fisnikë, flokëthinjurve që shkrinë jetën e tyre për Shqipërinë, bashkohuni me datën 11 Maj, votoni ndryshimin sepse vota juaj do të jetë para së gjithash votë për dinjitetin tuaj. Sepse vota juaj do të jetë gjithashtu votë për të ndëshkuar ata të pamëshirë që në mënyrën më çnjerëzore u përçmuan ju, u poshtëruan ju, u detyruan ju njerëz fisnikë të qani me lot të ftohta mjerimi.

Jo, më 11 Maj, ju votoni që brenda 100 ditëve, Shqipëria të mos ketë pension nën 200 euro. Edhe njëherë, 560 mijë burra dhe gra që sot kanë një pension nën 172 euro, brenda 100 ditëve do kenë pensionin 200 euro. Të gjithë pensionistëve të tjerë, do u rritet pensioni 20 përqind. Dhe u garantoj se ky vrap nuk ndalet gjersa ju, burra dhe gra fisnikë të paguheni më mirë se të gjithë pensionistët e rajonit. Vendi juaj, me djersën tuaj, është më i pasuri në rajon dhe ju e meritoni atë. Të rinj dhe të reja, ju që votoni me datën 11 për herë të parë, keni një fat të bardhë.

Po të gjithë ju të tjerët që shkoni me 11 Maj, vota juaj ka peshën e jetës tuaj, ka peshën e të ardhmes tuaj, ka peshën e ëndrrës tuaj të bukur. Në 100 ditët ne hedhim bazat që çdo i ri dhe e re, të mendojë, të realizojë ëndrrën shqiptare në Shqipëri. Zotimi ynë solemn është se do dyfishohen fondet për arsimin. Shkollat tuaja do modernizohen dhe se ju, se asnjë fëmijë nuk do mbetet analfabet. Se asnjë fëmijë nuk do mbetet pa shkollën e mesme. Asnjë mesatare nuk do ketë për ju në universitete.

Shkollimi dhe punësimi juaj është zotimi ynë solemn. Të dashur të rinj dhe të reja, mos harroni kurrë se me 11 Maj vota është edhe për dinjitetin tuaj. Ju jeni të rinj dinjitozë, ju e dëgjuat me veshët tuaj kur një njeri i shfazuar, kur një njeri i dezekuilibruar, u tha se për mandatin e katërt do u sigurojmë dy kile farë kungulli në një fyerje të madhe për të rinjtë dhe të rejat shqiptare.

Qeveria e ardhshme do shpallë paktin për rininë.

Qeveria e ardhshme do paktin Startup Albania. Çdo i ri do punësohet brenda vitit pas diplomimit në ndërmarrje private apo publike. Me fondin e Startup Albania çdo i ri do përfitojë 5 mijë euro grant. Çdo sipërmarrës që do u punësojë ju do ketë zbritje 70 përqind në taksa. Ju një gjë mos e harroni, se beteja e jetës sonë është të sjellim kombin në rininë e tij.

Ndaj dhe për talentet tuaja do ketë një fond të veçantë me të cilin do mbështeteni për të gjithë krijimtaritë tuaja, në art, në shkencë, në sport, në të gjitha fushat. Sot, njeriu që u afroi ju 2 kg fare kungulli, u ofron ju një apartament për 108 vjet punë. U garantojmë se çdo çift i ri do ketë një çati.

30 mijë euro për të paguar interesat e kredisë. 70 euro për bebin e parë. 60 euro për bebin e dytë. Për të tretin, pagesa e qeverisë nga lindja gjer në 23 vjeç.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese