Nga një rezultat prej 52 pikësh në vitin 2021, në 57 pikë në vitin 2023 dhe 64 pikë në vitin 2025. Kjo është ecuria që ka ndjekur vendi ynë në indeksin ndërkombëtar të transparencës buxhetore, një tregues që mat sa i hapur është shteti në publikimin e dokumenteve dhe informacionit mbi mënyrën se si mblidhen dhe shpenzohen paratë publike.
Raporti më i fundit i Open Budget Survey tregon se Shqipëria ka vërë hapa përpara në drejtim të transparencës, megjithatë nënvizon se mbeten ende mangësi në përmbajtjen e disa dokumenteve kryesore dhe në informimin e qytetarëve për procesin buxhetor.
Shqipëria ka shënuar një përmirësim në transparencën e financave publike, duke arritur 64 pikë nga 100 në vlerësimin e Open Budget Survey 2025, rezultati më i lartë që vendi ka marrë deri më tani. Krahasuar me dy vjet më parë, kur Shqipëria u vlerësua me 57 pikë, këtë herë ka një rritje me shtatë pikë, çka tregon se institucionet kanë bërë më shumë për të publikuar informacion mbi mënyrën se si hartohet dhe shpenzohet buxheti i shtetit.
Nëse shihet ecuria përgjatë viteve të fundit, vihet re se transparencsa buxhetore ka ardhur duke u ëprmirësuar nga një proces zgjedhor në tjetrin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Shqipëria kishte një rezultat prej 52 pikësh, çka përkthehet se një pjesë e dokumenteve kryesore buxhetore ishin të aksesueshme, por ende mungonin informacionet e rëndësishme që do të ndihmonin qytetarët të kuptonin më mirë financat publike dhe vendimmarrjen e qeverisë.
Dy vite më vonë, në kohën kur vendi zhvilloi zgjedhjet vendore të vitit 2023, rezultati u rrit në 57 pikë. Edhe pse kishte përmirësime në publikim e dokumentave dhe në informacionin e bërë publik, Shqipëria vazhdonte të mbetej nën nivelin që konsiderohet si transparencë e mjaftueshme sipas standardeve ndërkombëtare.
Ndërsa në vlerësimin e vitit 2025, i vili vjen pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Shqipëria arrin në 64 pikë, duke kaluar për herë të parë kufirin prej 61 pikësh, që sipas metodologjisë së OBS konsiderohet si niveli ku një shtet ofron informacion të mjaftueshëm për publikun mbi buxhetin dhe financat e tij.
Një nga ndryshimet që ka ndikuar në këtë rezultat është publikimi online i Buxhetit të Qytetarëve, si edhe përfshirja e më shumë të dhënave në dokumentin e Rishikimit të Mesit të Vitit, ku tashmë jepen informacione më të detajuara për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore. Po ashtu, disa prej dokumenteve kryesore, si Deklarata Para-Buxhetore dhe Buxheti i Miratuar, vlerësohen me rezultate të larta për përmbajtjen dhe informacionin që ofrojnë.
Megjithatë, raporti evidenton se ka ende punë për të bërë. Disa dokumente, si Buxheti i Qytetarëve, Raporti i Fundvitit dhe Rishikimi i Mesit të Vitit, kanë ende nevojë për më shumë informacion dhe analiza, në mënyrë që qytetarët të kenë një panoramë më të qartë për mënyrën se si përdoren fondet publike dhe si realizohen objektivat e buxhetit.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet mes vendeve me rezultatet më të mira. Vetëm Turqia ka një rezultat pak më të lartë, me 65 pikë ndërsa Shqipëria lë pas Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Çfarë ndryshoi në OBS 2025?
-Shqipëria ka rritur disponueshmërinë e informacionit buxhetor duke:
-Publikimi i Buxhetit të Qytetarëve në internet.
-Rritja e informacionit të dhënë në Rishikimin e Mesëm të Vitit duke zgjeruar të dhënat mbi të ardhurat dhe të dhënat mbi shpenzimet.
Rekomandime
-Shqipëria duhet të përparësojë veprimet e mëposhtme për të përmirësuar transparencën buxhetore:
-Të përfshihen në Propozimin e Buxhetit të Ekzekutivit zbulime më gjithëpërfshirëse të rreziqeve fiskale dhe të dhënave të parashikimeve makroekonomike, duke forcuar zbulimin e informacionit të aseteve, aktiviteteve kuazi-fiskale, detyrimeve dhe informacionit të qëndrueshmërisë fiskale, informacionit të pagesave të prapambetura të shpenzimeve dhe detajeve të analizës së ndjeshmërisë.
-Zgjeroni dokumentacionin e Programit Buxhetor Afatmesëm duke shoqëruar Propozimin e Buxhetit të Ekzekutivit me një deklaratë gjithëpërfshirëse të rrezikut fiskal që mbulon informacionin mbi asetet publike dhe zotërimet financiare.
-Përfshini në Raportin e Fundvitit të dhëna më gjithëpërfshirëse mbi borxhin, të dhënat e parashikimit makroekonomik dhe informacionin mbi politikat dhe performancën, duke forcuar zbulimin e krahasimeve midis vlerësimeve të huamarrjes së parashikuar dhe rezultateve aktuale, krahasimeve midis parashikimit fillestar makroekonomik dhe rezultatit aktual, krahasimeve midis rezultateve jofinanciare të planifikuara dhe rezultateve aktuale.
-Sigurohuni që Raporti i Zbatimit të Fundvitit të përfshijë raportim më të qartë mbi ndarjet e buxhetit dhe rezultatet për programet që synojnë grupet vulnerabël.
-Përmirësoni gjithëpërfshirjen e Buxhetit të Qytetarëve, duke forcuar zbulimin e përpjekjeve të shpërndarjes publike dhe shtrirjes së informacionit dhe versioneve për qytetarët gjatë gjithë ciklit buxhetor dhe Rishikimit të Mesëm të Vitit, duke forcuar zbulimin e rezultateve të azhurnuara dhe detajeve të vlerësimeve të borxhit dhe parashikimit origjinal makroekonomik dhe rezultatit aktual.
-Forcimi i shpërndarjes publike të Buxhetit Qytetar duke e publikuar atë përmes platformës e-Albania; shtrirjen e aktiviteteve përmes kanaleve bashkiake dhe shpërndarjen e synuar përmes universiteteve dhe OSHC-ve.
-Të ofrohet raportim më i qartë mbi vonesat në shpenzime dhe ndikimin e tyre në qëndrueshmërinë fiskale.
