Kryeministri Edi Rama dhe njëherësh numri një i Partisë Socialiste, ua ka bërë të qartë të vetëve se nëse ata nuk mbajnë dot presionin e drejtësisë së re, duke përfshirë hetimet e SPAK dhe akuzat e Gjykatës së Posaçme, atëherë nuk mund të jetë në role drejtuese në PS.
Mesazhi i tij u drejtohet atyre që i quajti shokë dhe shoqe të PS, të cilët nuk e ruajnë dot durimin, kur me të vetën gjykojnë se burgosja apo hetimet ndaj personave me të cilët kanë punuar për drejtimin e vendit është e padrejtë.
"Kosto e kurimit është shumë e lartë, e para për këdo që i bie për hise të jetë kavie eksperimentale e sistemit, pastaj dhe për ne, që kemi hisen të qëndrojmë pa zë apo të flasim duke qëndruar larg e më duart mbrapa, edhe kur ato sëmundje godasin befasisht jetë dhe dinjitete njerëzore.
Por, kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme, nuk është për këtë punë. Nuk duhet të merret me politikë në llogoren e PS. Mund të merret me diçka tjetër, por jo të jetë në llogoren e Partisë Socialiste. Foshnja nuk hidhet poshtë bashkë me ujin e pisët, thotë një shprehje", u shpreh Edi Rama.
Kryeministri theksoi se Partia Socialiste ka marrë flamurin e betejës për drejtësinë e re dhe nga llogorja e saj nuk mund të sulmohet Prokuroria e Posaçme. "Sado e padrejtë të duket kjo që thashë, do të ishte i pariparueshme për më shumë se një dekadë tjetër, dëmi që artileria jonë do t'i bënte drejtësisë", shtoi ai.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS:
Shpeshherë mua më pyesin shokët dhe shoqet këtu, si mund të durohen pa lënë dy gurë bashkë padrejtësitë e organeve të drejtësisë, kur ato bien dhe mbi ata që kemi ndarë ditë të mira e të këqija. E di që përgjigja ime shumëkujt këtu nuk i duket përgjigje, por unë nuk e gjej dot një përgjigje më tepër, sipas meje, pikërisht pse ne kemi hyrë me dëshirë në këtë llogore të përbashkët me flamurin e PS dhe kemi zgjedhur të punojmë për Shqipërinë e nesërme, nuk kemi asnjë të drejtë ta kthejmë llogoren e përbashkët për të marrë në mbrojtje këdo, dhe as të nxjerrim artilerinë tonë kundër SPAK dhe GJKKO. Përfshirë edhe rastet kur për dikë, sipas nesh, po bëhet një padrejtësi.
Sado e padrejtë të duket kjo që thashë, do të ishte i pariparueshme për më shumë se një dekadë tjetër, dëmi që artileria jonë do t'i bënte drejtësisë.
Po nuk ju dhamë kohën që u duhet të rriten dhe të aftësohen si duhet, gjithë kjo përpjekje do të shkojë dëm. Do shkojë dëm gjithë ëndrra dhe pritja e shqiptarëve për të pasur një drejtësi më në fund të pavarur nga pushteti politik. Koha që ju duhet atyre, institucioneve, që të rriten përfshin detyrimisht edhe kurimin me kosto shumë të larta njerëzore të atyre sëmundjeve të trashëguara që përmenda më lart. Këto kosto janë në lëkurën tonë dhe ky është guri më i madh në kurrizin tonë.
Është shumë e vështirë të ruash durimin, kur edhe njerëz krejt të pafajshëm, që thirren si persona në dijeni, të vijnë në derë të tmerruar, mua më kujtojnë hetuesit injorant të Maks Velo.
Unë nuk kam fare qëllim që të merrem me raste, por ja kështu është kjo histori. Këto janë shenjat e dhimbshme të sëmundjeve të trashëguara në trupin prej fëmijë të drejtësisë së re. Kosto e kurimit është shumë e lartë, e para për këdo që i bie për hise të jetë kavie eksperimentale e sistemit, pastaj dhe për ne, që kemi hisen të qëndrojmë pa zë apo të flasim duke qëndruar larg e më duart mbrapa, edhe kur ato sëmundje godasin befasisht jetë dhe dinjitete njerëzore.
Por, kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme, nuk është për këtë punë. Nuk duhet të merret me politikë në llogoren e PS. Mund të merret me diçka tjetër, por jo të jetë në llogoren e Partisë Socialiste. Foshnja nuk hidhet poshtë bashkë me ujin e pisët, thotë një shprehje.

