Disa orë pas arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Tedi Blushi së bashku me avokatin Gjokutaj si dhe sekretarin organizativ të PL, Artemis Peca i cili ishte në makinën ku po udhëtonte Ilir Meta, kanë dalë në një deklaratë për mediat.
Peca ka rrëfyer me detaje momentin e arrestimit tek Kthesa e Kamzës, te “Casa Italia” pak pasi ishin kthyer nga Kosova.
"Ne po vinim drejt Tiranës. U bllokua rruga dhe trafiku. Ula shpejtësinë e mjetit dhe pash një makinë që po na afrohej. Më pas na rrethuan tre makina me disa banditë me maska. Nuk kishin uniforma, kishin armë.
Na hapën dyert dhe na bënë presion “Hajdeni me ne”. Na terrorizuan, menduam se na bënë një akt pengmarrje. Kur pashë policinë e kuptuam se ishin nga Rama. Nuk kishin asnjë vendim, na shoqëruan në komisariat. Në momentin që shkuam në komisariat ata nuk bënin asnjë veprim se prisnin urdhër nga Rama. Vinin vërdallë dhe nuk dinin cfarë bënin. Ishte një akt tallës, janë kriminelë."
Ndërsa të tjera detaje janë zbuluar ku burime për mediat bëjnë me dije se ish-presidenti në momentin e arrestimit ishte duke u kthyer nga Kosova dhe se Forcat e Operacionales si dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me dy automjete civile e kanë ndjekur nga Kosova deri te Kthesa e Kamzës, te “Casa Italia” ku dhe u bë arrestimi i tij.
Pas arrestimit presidentin e Partisë së Lirisë forcat Operacionale e kanë futur në mjetin tip “Golf” dhe e kanë dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku pas procedurave i shoqëruar nga forcat e Policisë është zhvendosur në Bllokun e Sigurisë te Mine Peza.

