Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Vlonjatët “refuzojnë” kutitë e votimit, matjanët kryesojnë! Qytetarët “shuplaka” kandidatëve, pjesëmarrje e ulët në 5 Bashkitë e vendit, akuza për patronazhistët dhe thirrje për votim (E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
Vlonjatët “refuzojnë” kutitë e votimit, matjanët
Foto montazh/ Zgjedhjet ne 5 bashki

Në pesë bashki të vendit, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, po zhvillohen këtë të diel zgjedhjet e pjesshme vendore, kur rreth 334 mijë qytetarë me të drejtë vote pritet të zgjedhin kryebashkiakët e rinj.

Në garë janë gjithsej 13 kandidatë nga Partia Socialiste dhe të pavarur, por të mbështetur disa prej tyre nga Partia Demokratike, ndërsa procesi i votimit i cili nisi në orën 07:00 të mëngjesit, po vijon në mënyrë të qetë dhe pa incidente në të pesta bashkitë e vendit.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 14:00 kanë votuar 13.39 % e qytetarëve. Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në bashkinë e Matit me 31.13%, ndërsa më e ulëta në Vlorë me vetëm 9.62%.

Vlonjatët “refuzojnë” kutitë e votimit, matjanët
Perditesimi i fundit nga KQZ

Procesi po zhvillohet në 473 qendra votimi, ku identifikimi elektronik po përdoret pa asnjë problem teknik. Vetëm 19% e qendrave janë hapur me pak vonesë në orët e para të mëngjesit, ndërsa në tre qendra u shënuan probleme për shkak të mungesës së përkohshme të komisionerëve të Partisë Demokratike, por situata u zgjidh shpejt. Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve janë angazhuar 612 efektivë policie, të cilët kanë marrë në ruajtje qendrat e votimit në të pesë bashkitë.

Risi e këtij procesi është testimi për herë të parë i inteligjencës artificiale në numërimin e votave, që po zhvillohet në bashkinë e Tepelenës. KQZ ka zgjedhur KZAZ-në numër 80 për të pilotuar këtë proces, ku kamerat me rezolucion të lartë të vendosura mbi tavolinat e numërimit detektojnë të dhënat e fletëve të votimit dhe i përpunojnë përmes një aplikacioni të specializuar që kontrollon vlefshmërinë e tyre.

Rezultatet e këtij testimi do të transmetohen live në faqen e KQZ-së dhe do të ballafaqohen me numërimin manual të komisionerëve, për të garantuar saktësi dhe transparencë maksimale. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, sqaroi se bëhet fjalë për një projekt pilot që synon të testojë efikasitetin e teknologjisë, pa e zëvendësuar numërimin tradicional.

“Në çdo tavolinë kemi të instaluar kamera që regjistrojnë procesin e numërimit të fletëve, fletët vendosen mbi tavolinë, filmohen. Ajo çfarë kemi bërë ne dhe ku e përdorim, ëhstë që të gjitha këto filmime, nëpërmjet një programi kompjuterik me IA do të bëjë leximin automatik, sistemit kamera, të fletës së votimit. Do ta kuptojë ky sistem duke përdor Ai se për kë është votuar dhe rezultati vjen automatikisht në KQZ, pa pritur që të bëhet tabulimi i rezultatit nga anëtarët e grupit të të numërimit. Çdo fletë votimi vjen dhe transmetohet në KQZ. Jo shumë janë të familjarizuar me IA, se çfarë domethënie ka dhe se si funksionon, jo vetëm për vlerësimin e fletëve, por edhe për aspekte të tjera të përdorimit të saj. Është një program i cili të lehtës për aspekte të ndryshme, në rastin tonë për procesin e numërimit të fletëve të votimit”, tha Celibashi më herët.

Në Vlorë, ku janë të regjistruar 149.425  votues në 231 qendra votimi, procesi po zhvillohet normalisht, megjithëse në orët e para pati disa vonesa nga komisionerët e opozitës. Tre kandidatët në garë, Brunilda Mersini nga Partia Socialiste, Dionis Sota i pavarur dhe Gjergji Nika po ashtu i pavarur, kanë hedhur votat e tyre dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.

“Është një ditë e shënuar jo vetëm për mua si gruaja e parë që kandidon në siglën e PS, por edhe për qytetarët që duan një Vlorë me energjinë e tyre,” deklaroi Mersini.

Nga ana tjetër, Sota u shpreh se “kam programin më të mirë dhe jam një djalë që e dua këtë qytet me shpirt,” ndërsa Nika denoncoi presione nga patronazhistët ndaj punonjësve të administratës për të votuar nën trysni.

Vlora, që konsiderohet bastion i majtë, shkon në këto zgjedhje pas dorëheqjes së ish-kryebashkiakut Ermal Dredha, pas kritikave publike nga kryeministri Rama. Por, në këtë bashki pjesëmarrja rezulton të jetë më e ulëta.

Në Berat, kandidati i pavarur Pavlo Shkarpa, i mbështetur nga Partia Demokratike, ka thyer heshtjen zgjedhore duke bërë deklarata për mediat pas votimit. Ai kërkoi publikisht votën e qytetarëve, duke thënë se “Berati duhet të zgjedhë njeriun më të mirë, sepse unë kam projektin më të mirë për qytetin,” ndërsa akuzoi qeverinë për presione politike.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by @newsbomb_albania

Pas kësaj deklarate, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u bëri thirrje të gjithë kandidatëve që të respektojnë rregullat e kodit zgjedhor dhe të shmangin çdo mesazh që mund të ndikojë në vullnetin e votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Është kaq e qartë në Kodin Zgjedhor saqë nuk ka nevojë përsa i përket kategorive të politikanë ve që në ditën e votimit, e kanë të ndaluar që të bëjnë thirrje elektorale. Mund të bëjnë thirrje për pjesëmarrje në votime, por jo për mbështetje të kandidatëve. Se çfarë do të bëjë KQZ do të shikojmë. Shpresojmë që kjo risjellë në vëmendje e kësaj problematike të dëgjohet nga të gjithë”, tha Celibashi.

Pavarësisht normalitetit të procesit, pjesëmarrja e ulët e qytetarëve shihet si një sinjal i qartë i mungesës së entuziazmit elektoral dhe një shuplakë për opozitën. Procesi i votimit do të mbyllet në orën 18:00, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të shpallen nesër, pas përfundimit të numërimit të votave si manualisht ashtu edhe përmes inteligjencës artificiale në Tepelenë.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese