Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të vijojë qëndrimin e tij në paraburgim në Hagë, pasi Gjykata Speciale ka vendosur që t’ia zgjasë masën e sigurisë deri në korrik, deri në seancën e radhës gjyqësore për shpalljen e aktgjykimit.
Në vendimin e marrë më 10 qershor, raportohet se gjykata vlerësoi se ende ekzistojnë arsyet që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit.
Ndërsa bëhet me dije se mbrojtja nuk ka paraqitur kundërshtime lidhur me këtë vendim.
Sakaq, Prokuroria pretendon se vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes, duke argumentuar se Thaçi është i vetëdijshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ndërsa mësohet se gjyqtari i çështjes ka njoftuar se afati për shpalljen e aktgjykimit është shtyrë deri më 20 korrik.
Kujtojmë se Hashim Thaçi prej vjeshtës së vitit 2020 është në paraburgimin e Hagës pasi akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale. Për të janë ngritur akuza për krime kundër njerëzimit, përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Hashim Thaçi, i lindur më 24 prill 1968, ka qenë presidenti i pestë i Republikës së Kosovës.
Ai ka shërbyer si kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër në kabinetin e kryesuar nga Isa Mustafa, i cili mori detyrën më 12 dhjetor 2014.
