Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Alfredo Hamzai në krye të grupit, detaje nga DOSJA E SPAK: Kokaina vinte me qymur guri, 30.000€ për një "bukë", laboratori i shqiptarëve e nxirrte "kristal" në Ekuador, Orest Sota bënte porositë

Shkruar nga Newsbomb
Alfredo Hamzai në krye të grupit, detaje nga DOSJA E SPAK: Kokaina
Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN - Orest Sota/ Newsbomb.al

Newsbomb.al zbardh ekskluzivisht detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër grupit të biznesmenëve të lidhur me narkotrafikantët shqiptarë të kokainës, për të trafikuar drogë nga Amerika Latine dhe pastrimin e të ardhurave nga shitja e saj, në kullat e ndërtimit.

Konkretisht, në dosjen e SPAK evidentohet se:

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë, krijohet dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj, Adrian Rama, Elton Memeti, Orgest Birçaj, Orest Sota, Dritan Aga, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga Alfredo Hamzai, kanë marrë pjesë në trafikim masiv të lëndëve narkotike në disa shtete të Evropës, nga vendet e Amerikës Latine.

Grupi kriminal në fjalë ka vepruar në mënyrë të organizuar, duke ndarë rolet mes anëtarëve për prodhimin, transportin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, çka tregon qartë ekzistencën e një strukture të qëndrueshme dhe të qëllimit të përbashkët për përfitim financiar. Veprimtaria e tyre nuk është e rastësishme, por e përsëritur dhe e planifikuar, duke përfshirë sasi të konsiderueshme narkotikësh të destinuara për shitje.

Veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike ka konsistuar në:

- Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike i kryer nga Amerika Latine (Kolumbia, Ekuador, Bolivia, Surinam, Paraguai, Uruguai, Porto-Riko e Brazil) në drejtim të Europës, kryesisht në portet Anterverp (Belgjikë) dhe Roterdam (Holandë) përmes kompanive të transportit detar në formën e qymyrit të drurit, pastave të frutave ose në pako të fshehura në kontenierë, të cilat në shumicën e rasteve janë kompani të krijuara dhe drejtuara prej tyre posaçërisht për këtë aktivitet, në bashkëpunim të mundshëm brenda shërbimeve doganore në porte të Europës.

- Trafikimi i lëndëve narkotike nga shtetet e Amerikës Latine drejt Europës realizohet përmes kompanive tregtare të frutave, mishit, qymyrit dhe sojës. Përpunimi dhe ekstraktimi kimik kryhet në magazina apo ambiente të marra me qira në disa shtete europiane, kryesisht në Hollandë dhe Belgjikë. Këto lëndë shpërndahen më pas në disa shtete të BE-së, me një çmim që varion nga 26,000 deri në 30,000 euro për kilogram. Shitja kryhet në territore ku dukshëm furnizimi mbulohet vetëm nga prurjet e tyre, si Belgjika, Hollanda, Britania e Madhe, Irlanda, Italia dhe Spanja.

Ky aktivitet është i shtrirë në disa vende, ku përveç aleancave dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me grupe të ndryshme kriminale që operojnë në shtete të ndryshme (si holandeze, belge, turke, izraelite, italiane, polake, braziliane, britanike, si dhe kartele të drogës nga Kolumbia, Paraguaji dhe Ekuadori), grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë mes tyre në këtë veprimtari, ose ndihmojnë njëri-tjetrin në procese të ndryshme, sipas njohjeve dhe lidhjeve që kanë në vendet ku transportohet lënda narkotike. Personat nën hetim Alfredo Hamzai, Luciano Koçeku, të cilët janë drejtues të grupeve kriminale që trafikojnë lëndë narkotike, mundësojnë zinxhirë të ndryshëm të veprimtarisë kriminale duke patur kontroll të plotë si të burimit prej nga vjen lënda narkotike, të pikave se ku do të kalojë tranzit dhe më pas në transportimin drejt magazinave (vende të marra me qera nga persona vendas / te huaj që jane të pastër për autoritetet sipas vendeve), tek përpunimi kimik (me gjetje të materialeve përpunuese dhe ekspertet kimist), me paketimin dhe logot identifikuese te tyre në tregun e narkotikëve; në ruajtjen e mjeteve dhe ambienteve ku gjendet lënda narkotike duke u mundësuar vendosje të pajisjeve të llojit GPS në to, kamera si dhe pajisje të cilat bllokojnë valët nëse në to (lëndën narkotike) ka pajisje gjurmuese të tjera veç atyre të vendosur nga ata; me transportin më pas nëpër Europë si Belgjikë, Hollandë, Itali, Mbretëri e Bashkuar (përmes makinave në të cilat janë krijuar me vende të fshehta dhe në disa raste edhe përmes linjave ajrore me anë të avionëve të vegjel në përmasa të përdorur nga ta)

Personat nën hetim Alfredo Hamzai, Luciano Koceku kanë bashkëveprim të vazhdueshëm, të cilët investojnë dhe shpenzojnë në lidhje me një laboratorë të ndodhur në Kolumbi e Ekuador, me përgjegjës shtetas shqiptar, i cili siguron furnizim, përpunim, rrugë transporti për shumë grupe kriminale shqiptare; përfshihen në trafikim të lëndëve narkotike nga këto shtete, e dokumentuar kjo me kapjen e sasisë prej 441 kg në Barcelonë Spanjë; përfshihen në përpunimin e lëndës narkotike në Belgjikë, me qëllim trafikimin më pas në vende të tjera; si dhe përfshihen në transportim të lëndëve narkotike nga këto shtete në drejtim të Evropës, duke ndarë fitimet dhe shpenzimet; ata ndihmojnë njëri-tjetrin në dërgimin e forcës punëtorë në laboratorin në Ekuador, siç është rasti i personit nën hetim Dritan Aga, Arsen Gerbi dhe Muhamet Mersini; udhëtimi i cili organizohet nëpërmjet prerjes së biletave pranë agjensisë nëpërmjet personit nën hetim Orgest Birçaj, nëpërmjet shoqërisë "Top Seven" sh.p.k me aktivitet ndër të tjera agjensi udhëtimi.

Personi nën hetim Alfredo Hamzai dhe Luciano Koçeku për shkak të lidhjeve direkte me laboratorin e ndodhur në Ekuador e Kolumbi, konsiderohen si furnizues të lëndës narkotike, sipas kërkesave që kanë personat nën hetim Orest Sota, Orgest Bircaj, Adrian e Elton Memeti; personi nën hetim Alfredo Hamzai, siguron informacione në lidhje me ngarkesat që kontrollohen dhe problematikat që ata kanë në trafikimin që vetë personat nën hetim kryejnë në kuadër të trafikimit të lëndës narkotike; ndërsa personi nën hetim Orest Sota për shkak të lidhjeve që ai ka në Shqipëri ofron informacione nëse në Shqipëri ka të dhëna për personat nën hetim.

Nga ana tjetër sigurohet treg për shitje masive si dhe transport në vende të ndryshme të Evropës si në Itali nëpërmjet personave nën hetim Orgest Birçaj dhe Orest Sota, të cilët kanë rrjetin e tyre të trafikimit, në Angli nëpërmjet personit nën hetim Luciano Koçeku dhe në Zvicër nga personat nën hetim Elton Memeti dhe Adrian Rama; ata sigurojnë lëndë narkotikë dhe transport për njëri-tjetrin sipas kërkesave të shpejta që ata, duke bashkëvepruar në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme në drejtim të veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndë narkotike.

Personi nën hetim Luciano Koçeku nga ana tjetër ka rrjetin e tij të trafikimit të lëndëve narkotikëve të drejtuar, pjesë e të cilit janë vëllëzerët e tij Luciano Koçeku të cilët veprojnë nën drejtimin e këtij të fundit kryesisht në Angli dhe Belgjikë si dhe personat nën hetim Astrit Vladi e Kastriot Vladi, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar për të cilët po vijojnë hetimet.

Personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale e njohin njëri-tjetrin; ndihmojnë njëri-tjetrin në veprimtarinë e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe ato organizohen në pastrimin e parave, si dhe ndihmojnë njëri-tjetrin me veprime aktive konkrete në këtë veprimtari të pastrimit të parave, duke gjeneruar dhe pastruar miliona euro nga kjo veprimtari kriminale.

Edhe pse personat nën hetim janë të kujdeshëm në komunikimet që ata kryejnë për shkak të dijenisë së tyre mbi hapjen e komunikimeve të encrochat, si dhe mundësisë së për të ndërhyrë edhe në komunikimet SkyEcc, nga analizimi i komunikimeve të tyre, por edhe shënimeve të mbajtura, rezulton e provuar:

- Personat nën hetim Alfredo Hamzai, Orgest Bircaj dhe Luciano Koçeku në bashkëpunim të vecantë me njëri-tjetrin, me persona të tjerë një pjesë e të cilëve të arrestuar apo të paidentifikuar kanë trafikuar lëndën narkotike "Kokainë" prej 441 kg në Spanjë, Barcelonë ku janë arrestuar shtetasit Indrit Kulaj, Dashamir Shera, Enton Ahmataj e Gian Luca Ciprian.

- Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin e me persona të tjerë një pjesë e të cilëve të arrestuar apo të paidentifikuar kanë përpunuar në mënyrë masive lëndë narkotike në magazinat e ndodhura në Belgjikë dhe Holandë, ku gjatë kontrolleve të kryera në këto magazina janë konstatuar, ndër tjera, përbërës kimik, lëndë narkotike, pajisje e shënime për shpenzime të kryera nga personat nën hetim.

- Në kuadër të kësaj veprimtarie kriminale janë përftuar të dhëna në lidhje me rënie të sasive të konsiderueshme, gjatë trafikimit me të njëjtën mënyrë të vepruari të grupit kriminal të personit nën hetim Luciano Koçeku të dërguara nga Paraguaji nëpërmjet shoqërisë Maxi Grans në pronësi të shtetasit Luis Sebrano, i arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike.

- Në datat 17 dhjetor 2020 janë sekuestruar 600 kg; në datën 25 dhjetor janë sekuestruar 1.2 ton; në datën 24 dhjetor janë sekuestruar 1 ton lëndë narkotike kokainë dhe në datën 24.04.2020 një ton (sasi për të cilat Luciano Koçeku është shprehur se i janë sekuestruar nga autoritetet ligjzbatuese).

- Më datë 29.05.2020, në Angli u sekuestrua një sasi prej 162 kg kokainë e trafikuar nga grupi kriminal. Besohet se gjatë periudhës 2 maj - 29 maj 2020 është trafikuar një sasi totale prej 882,5 kg e cila i atribuohet grupit kriminal të personit nën hetim Luciano Koçeku.

- Në datën 28.10.2020 është sekuestruar sasia prej 1.435 kg lëndë narkotike kokaine në Portin e Roterdamit, që i përket personit nën hetim Alfredo Hamzai.

- Në datat 21.06.2020 është sekuestruar në Itali lëndë narkotike "cannabis sattiva" dhe në datën 01.07.2020 është sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 22.026 kg kokainë që i përket personit nën hetim Orgest Birçaj.

Gjithashtu, janë përftuar të dhëna në lidhje me sekuestrime të sasive të tjera të mëdha, për një pjesë janë dërguar letërporositë dhe për të tjerat po përgatiten letërporositë përkatëse.

Paralelisht me hetimet lidhur me veprën penale të parashikuar nga neni 283/a e 28/4 i Kodit Penal, për personat nën hetim si më sipër, janë kryer hetime lidhur me veprën penale të "Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale" kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 287/1 e 28/4 të Kodit Penal.

Përveç përfshirjes së personave nën hetim në veprimtari të trafikimit të lëndëve narkotike, janë përftuar të dhëna me interes në drejtim të pastrimit të parave, për të cilat vijon veprimtaria si më poshtë vijon.

Personat nën hetim Adrian Rama, Elton Mehmeti, Alfredo Hamzai, Ardian Zykaj, Luciano Koçeku, Orgest Birçaj, Orest Sota, përveçse janë të përfshirë në veprimtari të trafikimit të lëndëve narkotike, ata janë të përfshirë edhe në pastrimin e produkteve të veprës penale, konkretisht të të ardhurave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale përgjatë periudhës 2017- e në vijim.

© Ky artikull është ekskluziv i redaksisë së portalit Newsbomb.al dhe ribotimi i tij lejohet vetëm duke cituar burimin!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese