Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me homologun kroat, Gordan Grliç-Radman.
Në fokus të bisedës tyre ishte rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri kroat vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit duke theksuar se mbyllja e tre kapitujve është një moment i rëndësishëm që tregon përkushtimin e vazhdueshëm për arritjen e një objektivi strategjik siç është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
"Shqipëria ka pritur gjatë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe mendoj që tashmë është koha. Më lejoni të përgëzoj Shqipërinë për përparimin e jashtëzakonshëm që ka arritur në rrugën e saj evropiane. Mbyllja e tre kapitujve është një moment i rëndësishëm që konfirmon përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për arritjen e objektivit strategjik, anëtarësimin në BE. Shqipëria jep shembull me arritjet e saj, ajo dëshmon se procesi i zgjerimit të BE është i besueshëm vetëm kur një vend respekton detyrimet e tij dhe arrin rezultate konkrete duke përmbushur kriteret e përcaktuara, ashtu siç e bëri dhe Kroacia. Kjo është rruga e vetme për të ecur përpara dhe Shqipëria ka arritur përparim mbresëlënës në këtë rrugë. Shqipëria po ecën me ritëm të mirë duke i tejkaluar edhe vendet e tjera kandidate dhe kjo falë meritave të saj. Ju inkurajoj të ecni në këtë rrugë dhe patjetër keni mbështetjen tonë të plotë" tha ai
Ministri Hoxha tha se Shqipëria është e vendosur të përmbushë të gjitha reformat me synimin për të mbyllur procesin e negociatave brenda vitin 2027. Ai theksoi se vendi ynë është i vendosur që çdo reformë të sjellë përfitime afatgjata dhe të forcojë besueshmërinë në shoqërisë shqiptare.
"Qeveria shqiptare vazhdon të punojë me përkushtim e angazhim të dorës së parë për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe reformat e kërkuara, me qëllim realizimin e objektivave të vendosura, për mbylljen e procesit teknik të negocimit brenda vitit 2027. Në këtë proces nuk ka as pauzë e as pushim. Ne mbetemi tërësisht të vendosur të ruajmë këtë moment dhe ritëm, dhe të sigurojmë që çdo reformë që ndërmarrim të sjellë përfitime afatgjata për qytetarët shqiptarë dhe të forcojë besueshmërinë e shoqërisë shqiptare në këtë proces.", u shpreh Hoxha.
