Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Legjendat dhe Baladat e Vjosës": Zëri që lidh brigjet, brezat dhe identitetin tonë

Shkruar nga Newsbomb
"Legjendat dhe Baladat e Vjosës": Zëri që lidh brigjet,
 

"Vjosa nuk rrjedh vetëm me ujë; ajo rrjedh edhe me kujtesë." Me këtë mesazh u prezantua në Universitetin "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës projekti "Legjendat dhe Baladat e Vjosës", i cili synon të dokumentojë dhe të ruajë trashëgiminë gojore të komuniteteve përgjatë lumit të fundit të egër të Evropës.

Në aktivitet u prezantua edhe nisja e ekspeditës së parë kulturore, e cila do të mbledhë legjenda, balada, gojëdhëna dhe rrëfime popullore nga banorët që jetojnë prej brezash përgjatë Vjosës.

Drejtuesi i Qendrës Kulturore Mediatike Antigonea, Engjëllush Serjani, theksoi se, megjithëse Vjosa është tashmë Park Kombëtar dhe gëzon vëmendje për vlerat e saj natyrore, trashëgimia e saj kulturore jomateriale mbetet kryesisht e padokumentuar dhe rrezikon të humbasë për shkak të emigrimit, shpopullimit dhe plakjes së popullsisë rurale.

"Legjendat dhe Baladat e Vjosës": Zëri që lidh brigjet,
 

Projekti zbatohet nga Qendra Kulturore Mediatike Antigonea në kuadër të projektit CULTUR-AL, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (NCCS), në partneritet me Qendrën Artivista.

Megjithëse financohet me një grant prej 6 mijë eurosh, projekti ka krijuar një partneritet të gjerë institucional me Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar "Lumi i Vjosës", Drejtorinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe bashkitë përgjatë rrjedhës së lumit.

Kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha, vlerësoi rëndësinë e dokumentimit të kulturës gojore si një pasuri që mund të kontribuojë edhe në zhvillimin e turizmit kulturor. Ndërsa drejtoresha e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar "Lumi i Vjosës", Eduina Guga, theksoi se projekti ndërthur ruajtjen e trashëgimisë natyrore me atë kulturore dhe nxit përfshirjen aktive të të rinjve.

"Legjendat dhe Baladat e Vjosës": Zëri që lidh brigjet,
 

Rektori i Universitetit "Eqrem Çabej", prof. dr. Jaho Canaj, e cilësoi projektin si një nismë me vlerë shkencore, duke nënvizuar rëndësinë e dokumentimit në terren përmes dëshmive të drejtpërdrejta të banorëve.

Ekspedita kulturore do të zhvillohet në bashkitë Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Memaliaj, Gjirokastër dhe Fier. Gjatë saj do të dokumentohen traditat gojore të komuniteteve vendore, ndërsa dhjetë të rinj do të trajnohen si "gazetarë të së ardhmes" dhe do të angazhohen në procesin e kërkimit dhe dokumentimit.
Në përfundim të aktivitetit u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Qendrës Kulturore Mediatike Antigonea dhe Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar "Lumi i Vjosës".

"Legjendat dhe Baladat e Vjosës": Zëri që lidh brigjet,
 

Projekti do të kulmojë me krijimin e një arkive të qëndrueshme të trashëgimisë gojore të Vjosës, botimin e guidës "Legjendat dhe Baladat e Vjosës" dhe promovimin e saj pranë institucioneve, komuniteteve dhe operatorëve turistikë, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe zhvillimin e turizmit kulturor në luginën e Vjosës.

"Legjendat dhe Baladat e Vjosës": Zëri që lidh brigjet,
 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese