Analisti Arben Meçe gjatë një interviste për ABC News ka akuzuar lëvizjen Vetëvendosje për ndërhyrje në protestat në Shqipëri, duke e cilësuar veprimin si antikombëtar dhe të fshehur pas emrit të diasporës.
Ai tha se prezenca e VV u bë e dukshme pas ndalimit të vendosur nga shteti shqiptar dhe kujtoi protestën e madhe ku, sipas tij, nga Kosova hynë në territorin shqiptar 10 deri në 15 mijë persona.
Meçe u shpreh se do të ishte më i ndershëm debati nëse ata do të mbanin hapur flamujt e Vetëvendosjes dhe të deklaronin se po vinin për të “çliruar Shqipërinë”. Ai i quajti “skutha” ata që hyjnë nën emrin e diasporës, duke theksuar se nuk janë patriotë që diskutojnë çështje kombëtare, por po kryejnë një akt të rrezikshëm për sovranitetin e vendit.
“Problemi që VV është prezentë në protesta doli pasi shteti shqiptar bëri një ndalim. Në dijeni time, kur është bërë protesta e madhe ku 30 makina të udhëhequra nga një person nga Anglia u futën në territorin e Shqipërisë nga Kosova janë futur 10 deri 15 mijë persona. Do ishte më i ndershëm ky debat, që ata të kishin flamujt e Vetëvendosjes, dhe të thonin jemi VetëVendosja po vijmë të çlirojmë Shqipërinë. Këta skutha që futen në Shqipëri nën emrin e Diasporës, por jo të Vetëvendojes nuk janë ata patriotë që diskutojnë çështje kombëtare, sepse janë skutha. Përse u desh që këta 10-15 mijë kosovarë që u futën në Shqipëri të transmetoheshin si diasporë kur nuk ishin diasporë? Dhe të mos dilnin hapur. Pse e fshehu këtë të vërtetë Vetëvendosja? 10-15 mijë janë jo vetëm ndërhyrje në punët e brendshme, por është akti më antikombëtar dhe më antishqiptar që bëhet. Shqipëria është vend Sovran, po ashtu Kosova, Mali i Zi dhe juridiksioni i çdo qytetari është brenda territorit të vet.“, tha Meçe.
