Mëngjesin e kësaj të enjteje, një ngjarje e rëndë dhe tragjike tronditi vendin, pasi një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, në Maliq. Ndërkohë që detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me autorin e kësaj ngjarje të rëndë Violand Braçellari, personi i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, që kishte arritur t’i shpëtonte prej shumë kohe aksioneve të policisë.
Sipas raportimit të Top Channel, në vitin 2015, kryeplaku i fshatit Sabri Braçellari në deklarimin e dhënë gjatë hetimeve asokohe ka dëshmuar se nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Violandin dhe familjen e tij. Ai ndër të tjera ka treguar se ata qëndronin në atë kohë në shtëpinë e një tjetër banori, i clili ishte larguar nga fshati për në qytet.
“Unë banoj në Lozhan, i pandehuri banon në Vlorë. Prindërit e tij prej rreth një viti e gjysmë janë kthyer në Lozhan. Ata po banojnë te shtëpia e Eduart Braçellarit, që është djali i Mit’hatit. Banesa e Mit’hatit është 50-70 m larg banesës së Shefqet Braçellarit. Babai i të pandehurit është invalid, e shoqja i shërben. Më parë mbanin bagëti, kishin një çoban të punësuar.
Unë nuk kam patur marrëdhënie të mira me ta. Shtëpitë në atë lagje janë të braktisura dhe kush t’i dojë i shfrytëzon. Në shtator 2015 nuk e kujtoj nëse ka qenë në fshat Violandi. Në muajin shtator 2015, gjatë asaj periudhe, e kam parë shumë rrallë Violandin.
Ditën që erdhi policia, më ka telefonuar inspektori i zonës dhe më kërkoi t’i tregoja shtëpinë e Luan Braçellarit, ku policia qëndroi deri rreth orës 03:00. Isha unë dhe 5-6 policë. I ati ishte brenda, pasi është invalid. Policia kontrolloi në disa banesa. Shefi i antidrogës solli ca mbetje të lëndës narkotike; ishte vetë kur i kontrolloi. Është mbajtur edhe procesverbal, ku unë kam firmosur.
Nuk di të jetë gjetur ndonjë send ngrohës te banesa e Mit’hatit, ku rrinë prindërit e të pandehurit. Shefi i antidrogës, Besnik Qevani, ka kontrolluar 4-5 banesa vetëm në prani të policëve. Unë nuk isha prezent, as babai i të pandehurit. Shefi erdhi aty dhe tha: “Unë gjeta këtë në shtëpinë e Shefqet Braçellarit” (pak mbetje hashashi). Kontrolli u bë 3 ditë rresht. I pandehuri atë ditë nuk ishte në fshat”, shprehej kryeplaku.

