Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Teksa rikujton rrugëtimin dhe arritjet e tij në botën e letërsisë, Biblioteka Kombëtare shpreh ngushëllime për humbjen e mjeshtrit të mendimimit dhe të penës.
"Të qoftë i lehtë dheu në panteonin e përjetësisë, Mjeshtër i mendimit dhe i penës!" shkruan në reagim.
Reagimi i plotë:
Ndahet nga jeta gjeniu i letërsisë shqipe, Ismail Kadare
Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, në moshën 88-vjeçare, shkrimtari i madh Ismail Kadare.
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare.
Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Që prej vitit 1994 ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK-së.
Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës.
Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Të qoftë i lehtë dheu në panteonin e përjetësisë, Mjeshtër i mendimit dhe i penës!

