Vendimi i Gjykatës së Apelit për të dënuar me një vit burg Ervin Salianjin, duket se ka nxitur shumë pakënaqësi nga deputetët demokratë.
Menjëherë pas dhënies së vendimit, në seancë e cilësoi jo të vërtetë dhe akuzoi gjyqtarët se kanë marrë 2 dëshmitarë të rremë për të dënuar deputetët e opozitës në këmbim të shkuarjes në Gjykatë të Lartë
"Kjo është e vërteta. Merr 2 dëshmitarë të rremë si gjyqet politike e dënon deputetët e opozitës në këmbim të shkuarjes në Gjykatë të Lartë! Ta harrojë se do të shkojë në Gjykatë të Lartë", tha Bardhi.
Ndërkohë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Partia Demokratike ka njoftuar se do të zhvillojë një mbledhje urgjente të Grupit Parlamentar.
Kujtojmë se gjyqi për akuzën e shpifjes mes vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe deputetit Ervin Salianji vijon prej disa vitesh. Shkalla e Parë e dënoi Salianjin me një vit burg për shpifje, vendim i cili u la në fuqi edhe këtë të enjte, 26 shtator, nga Gjykata e Apelit.
Vite më parë, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe përse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan.
Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Geron Xhafaj dhe në përfundim rezultoi se video ishte e montuar.
