Virxhil Vesho priste të festonte ditëlindjen e 82-të pas disa ditësh, por goditjet e pabesa të mikut të tij të dhomës në azilin e "Ali Demit" në Tiranë, e lanë të pajetë. Intelektuali Zyhdi Shehi është arrestuar nga Policia e Tiranës nën akuzën e vrasjes.
Teksa orët kalojnë, detajet që bëhen publike janë vërtet tronditëse. Ngjarja rezulton të jetë tentuar t'i fshihet autoriteteve dhe Virxhil Vesho të përcillej për në banesën e fundit pa e marrë vesh kush se çfarë ka ndodhur natën e 8 Korrikut.
Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, infermiere dhe kryeinfermiere në azilin e të moshuarve në Tiranë janë arrestuar nga Policia e kryeqyteti, pasi akuzohen se kanë tentuar të fshehin ngjarjen, duke pastruar gjakun në dhomë.
Madje, dy zonjat e kanë çuar trupin e viktimës në një agjenci funerale dhe janë shprehur se Virxhil Vesho ishte banor i azilit në zonën e "Ali Demit" dhe kishte ndërruar jetë pasi ishte rrëzuar.
Agjencia ka marrë trupin dhe pasi ka bërë kqyrjen dhe pastrimin e tij, për ta përcjell denjësisht në banesën e fundit, ka parë se shenjat që viktima kishte në kokë nuk ishin të shkaktuara nga rrëzimi aksidental, por të dyshuara të shkaktuara nga goditjet me mjet të fortë.
Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi janë njoftuar që të shkonin për të tërhequr trupin e Virxhil Veshos pasi agjencia funerale nuk kishte pranuar të kryente procedurat e mëtejshme.
Për rastin janë njoftuar shërbimet policore dhe nga hetimet e para, ka rezultuar se autor i vrasjes ishte shoku i dhomës, shkrimtari dhe intelektuali Zyhdi Shehi. Ai është arrestuar menjëherë dhe punonjësit e azilit janë marrë në pyetje nëse kishin më tepër informacion.
Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, përkatësisht infermiere dhe kryeinfermiere kanë deklaruar para oficerëve se nuk kishin dijeni se i ndjeri Virxhil Vesho mund të ishte dhunuar. Por kur janë parë kamerat e sigurisë, ka rezultuar se ata jo vetëm që ishin në dijeni, por kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Ato kanë pastruar gjakun në krevatin dhe në dhomën ku u vra 82 vjeçari, si dhe e kanë dorëzuar trupin e tij në agjencinë funerale. Madje, edhe kur trupi është kthyer pas, ato përsëri nuk kanë treguar se çfarë ia kishte shkaktuar vdekjen në të vërtetë Virxhil Veshos.
Autori i dyshuar, Zuhdi Shehi është zgjuar natën dhe ka qëlluar disa herë me bastun hekuri në kokë mikun e tij. Para hetuesve, ai ka deklaruar se Virxhil Vesho i kishte zënë krevatin, si dhe e bullizonte vazhdimisht. Megjithatë, deklaratat janë marrë me rezerva nga oficerët për shkak se edhe autori edhe viktima vuanin nga skleroza.
© Newsbomb.al
