Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nisur një tur promovues të bukurive dhe resurseve turistike të Shqipërisë, duke prezantuar përfaqësuesit e trupit diplomatik me destinacionet përtej bregdetit. Në këtë nismë, ministri Ferit Hoxha shoqëroi delegacionin në ndalesën e parë në Lezhë, ku u vizituan qyteti antik dhe vendvarrimi i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e prezantimit të një dimensioni tjetër të Shqipërisë.
“Është shumë e rëndësishme t’u tregojmë një pjesë tjetër të Shqipërisë, të Shqipërisë që është po aq e bukur, një pjesë ku natyra dhe zhvillimi janë harmonizuar në mënyrë të shkëlqyer... disa prej tyre kanë qenë të surprizuar, do të kthehen bashkë me familjarët e tyre, miqtë të njohurit dhe ky ishte synimi yn,” tha Hoxha.
Edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, e vlerësoi vizitën si një promovim të rëndësishëm për qytetin:
“Lezha tashmë është një nga zonat më të bukur të Shqipërisë edhe për shkak të vendvarrimit të Skënderbeut, por edhe vetë kombinacioni natyror, turizmi, agroturizmi etj,” u shpreh Ndreu.
Delegacioni diplomatik vijoi turin në zona të tjera të veriut, nga Razma në Vermosh, duke u njohur nga afër me pasuritë natyrore dhe kulturore, si dhe duke përjetuar mikpritjen karakteristike shqiptare.
