Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka folur për gazetarët, duke bërë me dije se kanë nisur procedurat për shpalljen e efektivit Enea Mekolli si “Dëshmor i Atdheut", i cili humbi jetën në krye të detyrës orët e para të mëngjesit të sotëm.
Lamallari u shpreh se ka kërkuar një vlerësim të plotë të situatës, respektimin e protokolleve dhe marrjen e çdo mase ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe përcaktimin e përgjegjësive për secilin që ka qenë i përfshirë në menaxhimin e kësaj situate.
Po ashtu, ai deklaroi se kushdo që do të rezultojë përgjegjës nga hetimi, do të mbajë përgjegjësi ligjore.
"Humbje e madhe për të gjithë Policinë e Shtetit, për shtetin shqiptar. Humbëm shërbëtor të ligjit. U takova me stafin dhe familjen e policit të plagosur, u sigurova mbështetjen maksimale, po bëjmë të pamundur që gjendja të mbetet e stabilizuar dhe duhet të japim kohë dhe lehtësim stafit të bëjnë kohën e tyre, në mënyrë që të bëjnë të mundur që ai të kthehet pranë familjes së tij.
Kam kërkuar nisjen e procedurave për shpalljen e policit dëshmor i atdheut. Kemi 232 efektivë që janë martirë të policisë. Nuk duhej ky rast, është fatkeqësi për gjithë shtetin shqiptar. Në komunikim me Hitën, i kam kërkuar të bëhet vlerësim i situatës, respektimit të protokolleve dhe marrjen e çdo mase ligjore konfom ligjit në fuqi dhe përgjegjësisë që secili duhet të ketë për menaxhimin e kësaj situate. Kush do që del përgjegjës përballë këtij hetimi, do mbaj përgjegjësi", tha Lamallari.

