Pritet që gjatë kësaj fundjave termometri të shënojë vlera të larta, duke arritur deri në 41 gradë celcius.
Situata do të vijojë të jetë e njëjtë edhe në fillimin e javës që na pret, ndërsa gjatë mesit të javës pritet një ndryshim i kushteve atmosferike me shtim të vranësirave, reshje shiu me intesitet të ulët dhe shtëngata afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Por megjithëatë sipas sinoptikanes Elida Maloçali, kjo nuk do të ndikojë shumë tek temperaturat, pasi ato do të regjistrohen jo më shumë se 35-36 gradë celcius.
“Pozicionimi i zonës me presion atmosferik të lartë mbi Europë dhe forcimi i anticikloneve afrikanë dhe atij të Azoreve kanë bërë që të kemi mot të nxehtë dhe ditë të plota me diell.Në fundjavë vendi do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme me mot të kthjellët dhe diell, por nuk do të mungojnë vranësirat e pakta në relievet malore. Erërat do të fryjnë me shpejtësi 7 metra për sekondë, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 1-2 ballë.
Përsa i përket kushteve termike, temperaturat parashikohen të jenë 22-41 gradë Celsius. E njëjta situatë edhe për fillimjavën, ku moti parashikohet i kthjellët. Temperaturat do të vazhdojnë të kenë rritje, 40-41 gradë Celsius.
Përkeqësim të kushteve pritet në mesjavë. Do të kemi mot të vranët dhe vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, por nuk do të mungojnë edhe reshjet në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike. Era do të fryjë me shpejtësi 8 metra për sekondë deri në 18 metra për sekondë. Pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, ku parashikohet të jenë jo më shumë se 35-36 gradë Celsius”, u shpreh sinoptikania në Top Channel.
