Flora Xhemani është një vajzë që është rritur profesionalisht brenda mediave. Nga njëri tv te tjetri, Flora ka qenë ndër të parat që ftohej në çdo emision kur bëhej fjalë për çështje të turizmit. Nga sugjerimet, tek politikat e turizmit e deri tek çka nuk shkon mirë.
Asnjëherë nuk është bojkotuar nga media. Online, ose televizive. Madje vetë publikon një media.
Sot, ka bërë një thirrje për të bojkotuar mediat, sepse ato po manipulojnë. Po dezinformojnë. Zemërimi e ka çuar deri në pikën që një specialiste, të bëjë një deklaratë kaq të rëndë e duke i marrë mediat në bllokadë.
Reagimi i plotë i Flora Xhemani Baba:
Të dashur miq! Bojkotoni masivisht mediat në internet! Mos i klikoni, mos komentoni, as për të shprehur indinjatën tuaj ndaj lajmeve të rreme, provokuese, diversive ose që bëjnë propagandën e pushtetit! Edhe pse mendoni se po i tregoni vendin, duke i ofruar kundërargumente, fakte e kritika apo qoftë edhe zemërimin tuaj të ligjshëm, MOS!!!
Duke klikuar dhe komentuar RRISNI SHIKUESHMËRINË!!! Algoritmi është në shërbim të tyre. Le ta kthejmë algoritmin në shërbimin tonë! Sa më shumë klikime dhe shpërndarje në postimet e protestës, aq më shumë vëmendje ndaj saj!
Meqë qeveria ka hedhur gjithë propagandën në sulm, le t’i kundërpërgjigjemi!
