Është pushuar çështja për Jonaid Myzyrin. Gjyqtari Paulin Çera ka pranuar kërkesën e prokurorit Elvin Gokaj, se Jonaid Myzyri nuk ka kryer shkelje dhe se nuk ka kryer asnjë vepër penale.
Pasi GJKKO i la afat SPAK 45 ditë për të këqyrur një akt ekspertim i cili do të bëhej me ekspertë të licencuar, Prokuroria e Posaçme sërish doli në konkluzionin se Myzyri nuk ka kryer asnjë shkelje. Në kërkesën e bërë për pushim prokurori Gokaj kujtojmë se tha se janë ezuauruar të gjitha fazat hetimore dhe nuk është konstatuar kryerja e veprës penale “shkelje e barazisë në tendera”, nga ana e Myzyrit dhe ish vartësve të tij.
Përpos Myzyrit, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes për Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, kërkesë kjo e miratuar nga Gjykata.
Kujtojmë se fillimisht Myzyri u akuzua për veprat penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim. Masa e vendosur ndaj tij përfshinte “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
Bëhet fjalë për një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë të vjetra, për mirëmbajtjen rutinë të rrugës së Rrëshenit, nga Ura e Fanit deri në Urën e Repsit. Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë.
