Kryetari i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Igli Hasani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare tre ditore në Otava, Kanada. Aktiviteti u organizua nga Asambleja Parlamentare e NATO-s në bashkëpunim me Parlamentin kanadez.
Gjatë vizitës, Hasani u takua me parlamentarë kanadezë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe ekspertë të sigurisë. Bisedimet u përqendruan tek zhvillimet e fundit në hapësirën euroatlantike, ku u theksua mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën, përballja me sfidat hibride e kibernetike, si dhe roli gjithnjë e më i rëndësishëm i Arktikut për sigurinë globale të Aleancës.
Kjo vizitë u konsiderua një mundësi e vlefshme për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes vendeve aleate dhe për koordinimin e qëndrimeve mbi prioritetet kryesore të NATO-s. Shqipëria rikonfirmoi angazhimin e saj aktiv në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.
