Hapësire reklamuese

Aktualitet

Heqja e flamurit të Izraelit, dështim i reagimit të shërbimeve të shtetit shqiptar, gabim fatal nga protesta (REAGIMI)

Shkruar nga Newsbomb
Heqja e flamurit të Izraelit, dështim i reagimit të
Momenti i heqjes se flamurit te Izraelit

Në ditën e 21-të të protestës një protestuese e maskuar hoqi dhe përdhosi flamurin e Izraelit, të vendosur në Ambasadën e Shtetit të Izraelit në Tiranë, duke shkaktuar reagimin e mënjëhershëm të sferës poltike e jo vetëm në Shqipëri të cilët dënuan fortë këtë veprim.

Ndërkohë gazetari i njohur Enver Robelli, në një shkrim të tijin, e ka konsideruar ngjarjen një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm. Por më tej ai është shprehur se në këtë rast do të duhej të kishte vepruar edhe policia apo shërbimi sekret shqiptar, si edhe nga organizatorët e protestës të cilët duhet të tregohen më të kujdeshëm në lidhje me ata që u bashkohen.

“Megjithatë, kjo ngjarje nxjerr në pah edhe disa të vërteta shqetësuese: ky akt vështirë se do të kishte ndodhur, po të kishte vepruar policia me profesionalizmin e kërkuar. Në këtë rast, dështimi i saj është i plotë. Detyra e policisë ishte e qartë: të mbronte misionin diplomatik izraelit. Edhe më i rëndë duket dështimi i shërbimit sekret shqiptar.” ka shkruar ai ndër të tjera.

Reagimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Heqja e flamurit të shtetit të Izraelit nga godina e Ambasadës izraelite në Tiranë është një akt i shëmtuar dhe i dënueshëm. Për aq sa mund të shihet, këtë akt e ka kryer një person i maskuar, ndërsa përreth tij gjendeshin dhjetëra të tjerë me fytyrë të zbuluar. Që prej shpërthimit të protestave ka qenë i pranishëm rreziku që në turmë të depërtojnë fanatikë pseudomyslimanë, njerëz që nuk ndiejnë as për kombin shqiptar, as për detin shqiptar, as për të ardhmen e vendit. Ata kanë agjendë globale. Kjo agjendë e tyre nuk përputhet askund me interesat e protestuesve me ndjeshmëri mjedisore.

Përgjegjës për këtë që ndodhi para Ambasadës izraelite janë si autorët e drejtpërdrejtë të këtij veprimi të ndyrë, ashtu edhe të gjithë ata që u bënë pjesë e tij. Ata duhet të arrestohen dhe të marrin dënimin që meritojnë, në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar.

Megjithatë, kjo ngjarje nxjerr në pah edhe disa të vërteta shqetësuese: ky akt vështirë se do të kishte ndodhur, po të kishte vepruar policia me profesionalizmin e kërkuar. Në këtë rast, dështimi i saj është i plotë. Detyra e policisë ishte e qartë: të mbronte misionin diplomatik izraelit.

Edhe më i rëndë duket dështimi i shërbimit sekret shqiptar. Nëse një shërbim i tillë, me gjithë rrjetin e vet të agjentëve, nuk arrin të parandalojë skena të tilla në zemër të kryeqytetit, atëherë lind natyrshëm pyetja: për çfarë ekziston? E gjithë kjo që ndodhi flet shumë edhe për sistemin e sigurisë të ngritur nga qeveria aktuale në Tiranë, një sistem i kriminalizuar, që u shërben më fort nevojave të politikës së ditës sesa interesave të shtetit.

Organizatorët e protestave duhet të tregohen të vëmendshëm, që të mos lejojnë depërtimin e ca mendjehumburve, të cilët, para se të “çlirojnë” Sazanin e Zvërnecin, ëndërrojnë të “çlirojnë” Gazën - madje, ndoshta, pasi të kenë shfletuar esenë mbi Kosovën të intelektualit palestinez Edëard Said, figurë me të cilën pëlqejnë të identifikohen kritikët e kolonializmit.

Më 1999, Said llomotiste se Bill Clintoni “e ka shfrytëzuar krizën e Kosovës për të ndrequr dëmin që i bëri vetes me çështjen Leëinsky”, ndërsa shtronte pyetjen se cilat do të ishin, në të ardhmen, marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës me Serbinë, “e cila ka një të drejtë sovraniteti të pamohueshëm në këtë krahinë”.

Para disa ditësh, disa komunistë mendjehumbur të kasabasë së Zürichut dolën në një shesh për të protestuar, meqë, pas Gazës, dhëndri i Trumpit paskësh dëshiruar të merrte edhe Sazanin. Këtyre hutaqëve iu bashkuan edhe disa djem e vajza shqiptare me flamuj kombëtarë, duke mos pranuar të kuptonin se Gaza dhe Sazani nuk kanë asgjë të përbashkët, as në histori, as në hall.

Shqetësimi i vetëm i protestuesve do të duhej të ishte përballja me një qeveri arrogante në Tiranë, e cila merr vendime mbi kokat e qytetarëve, pa pyetur askënd, pa sqaruar kushtet e investimit dhe pa dëgjuar shqetësimet e banorëve. Kjo protestë mund të quhet që tani historike, sepse i ka treguar regjimit se durimi ka një kufi dhe se, përtej atij kufiri, nis mosbindja dhe zemërimi qytetar.

Tërheqja zvarrë e protestuesit në Zvërnec kishte një simbolikë e fuqishme - një pamje që të jepte ndjesinë se, në të njëjtën mënyrë, po tërhiqet zvarrë edhe Shqipëria nga një kastë politikanësh të korruptuar, të lidhur pazgjidhshmërisht me një rreth oligarkësh. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese