Një ngjarje tragjike u regjistrua gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte në fshatin Shalës të Sarandës, ku 69-vjeçari Hysen Islamaj qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij Shan Islamaj, e më pas u kthye dhe vetë në viktimë pasi u vra nga djali i tij 40-vjeçar.
Burime për mediat bëjnë me dije se dramat e familjes Islamaj kanë filluar shumë vite më parë dhe krimi në këtë familje duket se i ka rrënjët më të thella.
I ati i 69-vjeçarit që vrau me sëpatë mëngjesin e sotëm bashkëshorten, i njohur në fshat si Xhevit Cene, është akuzuar më parë për të paktën tre vrasje.
Sipas raporteve mediatike Xhevit Cene ka vrarë tre bashkëshortet e tij. Raportohet se njërën nga bashkëshortet e ka vrarë duke e hedhur në gropë të gëlqeres, tjetrën e ka vrarë duke e hedhur në pus, ndërsa tjetrën e ka mbytur në lumë. Ai njihej si njeri shumë i dhunshëm në fshat, duke kryer edhe veprime të papranueshme ndaj bashkëshorteve.
Kujtojmë se rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, në fshatin Shalës, pas një konflikti për motive të dobëta 69-vjeçari Hysen Islamaj vrau me sëpatë bashkëshorten e tij 66-vjeçare, Shano Oslamaj.
E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi para syve të mbesës së mitur e cila menjëherë mori në telefon të atin dhe e lajmëroi se “gjyshi ka vrarë gjyshen”.
Pas kësaj telefonate 40-vjeçari Klemend Islamaj shkoi në banesë ku dhe u konfliktua me të atin. Gjatë debatit ai e shtyu 69-vjeçarin nga shkallët e banesës dhe si pasojë ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe deri një orë më parë, në orën 10.00, trupat e viktimave kanë qenë në oborrin e shtëpisë. Pamjet që sjell neësbomb.al tregojnë trupin e pajetë të Hysen Islamaj në oborrin e shtëpisë.
Për ngjarjen, është arrestuar shtetasi Klement Islamaj, pasi akuzohet se ka hedhur nga shkallët babain.
"Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi Hysen Islamaj, 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Shano Islamaj, 66 vjeçe.
Më pas, shtetasi Hysen Islamaj dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin Klement Islamaj rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin Hysen Islamaj nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi Hysen Islamaj ka humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit Klement Islamaj", thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

