Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Kush po gënjen për Pogradecin?! Prokuroria po heton dhe policët për "Shpërdorim detyre", raportuan se Egli ishte rrëzuar dhe vdiq i dehur

Shkruar nga Newsbomb
Kush po gënjen për Pogradecin?! Prokuroria po heton dhe policët
Fotomontazh/ Prokuroria, Policia dhe viktima Egli Proga

Ngjarja tragjike në Pogradec, ku humbi jetën Egli Proga, ka nxitur një valë të fortë akuzash mes institucioneve shtetërore, me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit që po përballen me një situatë të ndërlikuar përgjegjësie.

Policia, në raportimet e para drejtuar prokurorit të gatshëm që mbërriti në vendngjarje, deklaroi se Egli kishte vdekur pasi ishte rrëzuar për shkak të konsumimit të tepërt të alkoolit. Megjithatë, hetimet e mëtejshme nga Prokuroria kanë nxjerrë në pah se ka dyshime për shpërdorim detyre nga ana e zyrtarëve të policisë, konkretisht për inspektorin e Policisë Artur Lilo, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për këtë të fundit ka dyshime mund të ketë manipuluar apo interpretuar ndryshe rrethanat e ngjarjes.

"Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar. A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë 'ore ik andej'. Veprimet hetimore paraprake të cituara më lart, të kryera në funksion të një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të kësaj çështjeje penale, kanë krijuar një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, se nga ana e shtetasit A.L., janë konsumuar elementë të veprës penale 'Shpërdorimi i detyrës' parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, për shkak se ky shtetas me detyrë Inspektor, Trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme, në shkelje të detyrave të tij funksionale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së viktimës edhe pse ky shkak i është bërë prezent nga dëshmitari okular i ngjarjes shtetasi A.B.," nënvizohet në njoftimin e Prokurorisë. 

Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë filluar të hedhin fajin mbi njëra-tjetrën. Policia pretendon se raportimi i saj fillestar ishte i saktë dhe se ishte Prokuroria ajo që e ndryshoi akuzën, duke e çuar hetimin në një drejtim tjetër. Ndërkohë, Prokuroria mban qëndrimin se ka ndjekur çdo procedurë ligjore dhe po heton rastin në përputhje me detyrimet e saj.

Në vend që të punojnë në sinkron për të zbardhur të vërtetën, duket se Prokuroria dhe Policia po përpiqen të shmangin përgjegjësitë, duke lënë qytetarët në paqartësi dhe duke shtuar dyshimet mbi transparencën dhe efektivitetin e tyre. Fakti që Prokuroria tashmë po heton dhe vetë policët për shpërdorim detyre është një tregues i qartë se ka pasur manipulim të çështjes.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Nuk mori masa për dokumentimin e ngjarjes ku humbi jetën shtetasi E.P. Prokuroria e Korçës merr nën hetim Inspektorin për ‘Shpërdorim Detyre’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë merr nën hetim shtetasin A.L. i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Shtetasi në fjalë, me detyrë Inspektor, Trupë Shërbimi, Patrullë e Përgjithshme rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së shtetasit E.P. më 10.08.2024 në Pogradec.

Më datë 10.08.2024, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në afërsi të vendit të quajtuar “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjia nr.2 në Pogradec, u gjet një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale u identifikua si shtetasi E.P. i cili u transportua në spital pa shenja jete.

Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M.

Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar.

A.B. i ka thënë se kushëriri i tiij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’.

Veprimet hetimore paraprake të cituara më lart, të kryera në funksion të një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të kësaj çështjeje penale, kanë krijuar një dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova, se nga ana e shtetasit A.L., janë konsumuar elementë të veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, për shkak se ky shtetas me detyrë Inspektor, Trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme, në shkelje të detyrave të tij funksionale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së viktimës edhe pse ky shkak i është bërë prezent nga dëshmitari okular i ngjarjes shtetasi A.B.

Gjithashtu rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga Salla Operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit.

Në këto rrethana, shtetasi i sipërpërmendur u mor në përgjegjësi penale për vëprën penale të dyshuar të kryer prej tij, për shkak se si pasojë e veprimeve të tij nuk është bërë i mundur dokumentimi real i ngjarjes së ndodhur.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese