Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Mbyllet ZYRTARISHT procesi i votimit, nga 130 mijë vlonjatë vetëm 18 mijë shprehën vullnetin e tyre, “gropë” edhe në bashkitë e tjera, të rinjtë "braktisin" politikën

Shkruar nga Newsbomb
Mbyllet ZYRTARISHT procesi i votimit, nga 130 mijë vlonjatë vetëm
Foto ilustruese

Procesi i votimit në pesë bashkitë e vendit, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, ka përfunduar mbrëmjen e sotme, në orën 18:00, duke shënuar mbylljen e një dite zgjedhore të qetë dhe pa incidente.

Rreth 334 mijë qytetarë me të drejtë vote ishin thirrur për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj, pas vakancave të krijuara nga dorëheqjet apo emërimet e mëparshme të drejtuesve lokalë në poste të tjera. Në garë morën pjesë 13 kandidatë, pjesa më e madhe prej Partisë Socialiste dhe disa të pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këto zgjedhje votuan 18.51 % 
e qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja më e lartë u regjistrua në bashkinë e Matit me 39.23%, ndërsa më e ulëta në Vlorë me vetëm 12.59%.

Votimi u zhvillua në 473 qendra, ku u përdor identifikimi elektronik pa asnjë problem teknik. Vetëm një pjesë e vogël, rreth 19% e qendrave, u hapën me vonesë në orët e para të mëngjesit, ndërsa në tre qendra u shënuan vonesa për shkak të mungesës së përkohshme të komisionerëve të opozitës.

Situata u normalizua shpejt, dhe procesi vijoi normalisht. Për sigurinë e zgjedhjeve ishin angazhuar 612 efektivë policie, të cilët garantuan rendin dhe qetësinë gjatë gjithë ditës.

Një risi e këtij procesi ishte testimi për herë të parë i inteligjencës artificiale në numërimin e votave, që u zhvillua në bashkinë e Tepelenës. Projekti pilot u aplikua në KZAZ-në nr. 80, ku kamerat me rezolucion të lartë identifikonin të dhënat e fletëve të votimit dhe i përpunonin përmes një aplikacioni të specializuar.

Rezultatet e këtij testimi do të krahasohen me numërimin manual për të verifikuar saktësinë dhe transparencën. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e cilësoi këtë si një hap drejt modernizimit të proceseve zgjedhore, pa zëvendësuar ende numërimin tradicional.

Në Cërrik, ku votuan 8,108 qytetarë  nga 30,700 të regjistruar në listë, gara u zhvillua mes Florenc Dokës (PS), Amarildo Hoxhës (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Eligert Himës nga nisma “Shqipëria Bëhet”.

Në Tepelenë, ku votuan 2,488 qytetarë, përballja ishte mes Gramoz Sakos (PS) dhe Gabriel Gumës, kandidat i pavarur i mbështetur nga opozita.

Në Berat, ku ishin të regjistruar 61,082 dhe votuan 13,492 qytetarë, përballja u bë mes Ervin Cecës (PS) dhe Pavllo Shkarpës (i pavarur, i mbështetur nga PD).

Në Mat, votuan 8,270 qytetarë ose e përkthyer në përqindje mbi 39%,  garuan Altin Bojni (PS), Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha (e pavarur).

Ndërsa në Vlorë, një nga bashkitë më të mëdha të vendit me 130.480  zgjedhës në 231 qendra votimi, 18,039 qytetarë votuan për të zgjedhur pasardhësin e Ermal Dredhës, i cili dha dorëheqjen në shtator.

Procesi i votimit u mbyll në orarin zyrtar dhe pritet që në orët në vijim të nisë numërimi i votave në të pesë bashkitë. 

Mbyllet ZYRTARISHT procesi i votimit, nga 130 mijë vlonjatë vetëm
Pjesemarrja e qytetareve ne zgjedhje

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese