E hënë e trishtë kjo e këtij korriku të nxehtë. Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare, ka mbyllur sytë përgjithmonë. Zemra e të madhit Kadare pushoi mëngjesin e kësaj të hëne. Newsbomb.al mëson se gjeniu i letërsisë u shua pas një arresti kardiak.
Shkrimtari i madh shqiptar u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare duke lënë pas një dhimbje te të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër, punojnë dhe të rriten me shkrimet dhe librat e tij.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 50 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.
Përgjatë jetës së tij ai u vlerësua dhe nderua me dhjetëra çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Newsbomb.al u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe të gjithë shqiptarëve për këtë humbje të madhe.
U prehsh në paqe kolos i letërsisë, faleminderit për gjithçka që na dhe e na le pas!
