Ndarja nga jeta e Ismail Kadare ka pikëlluar jo pak mbarë opinionin publik. Vdekja e Ismail Kadaresë është një humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai la pas një trashëgimi të pasur që do të vazhdojë të frymëzojë dhe të sfidojë lexuesit për shumë breza që do të vijnë.
Sakaq, në një reagim, Akademia e Shkencave shkruan se letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.
Përmes një mesazhi, Akademia e Shkencave thekson se emri dhe vepra e tij do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.
Reagimi i plotë Akademisë së Shkencave:
Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi; fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (International Booker Man Prize, Prince of Asturias Aëard, Jerusalem Prize, Neustadt International Prize, Nonino, Park Kyong-ni); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet, shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që i e mbushi me kuptim këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe.
Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.
Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore. Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.
Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën arkitrarin e letërsisë shqipe. Letërsia e I. Kadaresë e ka ndërkombëtarizuar kulturën shqiptare në shkallë europiane e botërore. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.
Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare, studiuesve e lexuesve të panumërt të veprës së tij, bashkësisë akademike e botës universitare, përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë.
Emri dhe vepra e tij do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.
Tiranë, 1 korrik 2024
