Në vijim të vendimeve që po jepen për dosjen e bujshme “Metamorfoza”, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e Policisë Ardit Hasanbegaj.
Trupa gjykuese deklaroi fajtor Pëllumb Gjokën për veprat penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Kleanthi Musabellit, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, “Grupit të strukturuar kriminal” si dhe “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të sistemit të drejtësisë”.
Për këto akuza togat e zeza vendosën që ta dënojnë me 9 vite burg, megjithatë për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, Gjoka përfitoi uljen e dënimit me një të tretënm duke u dënuar përfundimisht me 6 vite burg. Sakaq ai u shpall i pafajshëm lidhur me një tjetër akzuë të ngritur ndaj tij, atë të armëmbajtjes pa leje.
Po në kuadër të së njëjtës çështje, GJKKO shpalli fajtor edhe ish-shefin e Policisë Ardit Hasanbegaj, për veprat penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” ndaj Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”.
Për Hasanbegajn, gjykata vendosi dënimin me 7 vite e 6 muaj burg, i cili, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 5 vite burgim. Krahas dënimit penal, ndaj tij u vendos edhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike.
