Gjykata e Lartë ka vendosur këtë të enjte të prishë vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin e pasurive të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke e kthyer çështjen për rigjykim në Apelin e Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mësohet se gjyqtari Gent Shala ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të dhënë nga gjyqtari Dhimitër Lara për sekuestrimin e tre pasurive në emër të Ahmetajt. Tashmë çështja do të shqyrtohet sërish nga Apeli i GJKKO-së, me një trupë tjetër gjykuese, e cila do të rivlerësojë ligjshmërinë e masës së sekuestrimit ndaj ish-numrit dy të qeverisë.
Po ashtu, bëhet me dije se ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk i jep fund çështjes, por e rikthen procesin në fazën e rigjykimit, ku do të merret një vendim i ri lidhur me pasuritë e sekuestruara të Ahmetajt.
Kujtojmë se politikani i lartë socialist, i cili aktualisht jeton në Zvicër me status azilkërkuesi, akuzohet nga SPAK për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. Sipas SPAK, ai ka përfituar nga biznesmenët e akuzuar në këtë aferë para, automjete, vila dhe favore të tjera.
Ish-numri dy i qeverisë shqiptare akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Nën akuzë në këtë dosje janë edhe bashkëjetuesja e Arben Ahmetajt, Erjola Hoxha, si dhe ish-bashkëshortja e tij, Albina Mançka, të cilat akuzohen për veprat penale “Fshehja e pasurisë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Korrupsioni”.
