Hapësire reklamuese

Aktualitet

Njerëzit e Behgjet Pacollit u futën pas 10 muajsh në Aeroportin e Vlorës, biznesmeni thirrje publike SPAK: Hetoni grupet kriminale që e mbajtën peng, kanë vjedhur pajisje të çmuara operacionale

Shkruar nga Newsbomb
Njerëzit e Behgjet Pacollit u futën pas 10 muajsh në Aeroportin e
Ilustrim: Behgjet Pacolli dhe momenti kur njerezit e tij futen ne Aeroportin e Vlores

Miliarderi shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli ka reaguar menjëherë pasi njerëzit e tij të kompanisë MABCO - e cila zotëron dhe 98% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës-, janë futur sot në terminal dhe kanë marrë në kontroll situatën.

Pacolli thekson se stafi i tij ende nuk është njohur me gjendjen reale të Aeroportit të Vlorës, ndaj i bën thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, sipas tij, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar rëndë shtetin e së drejtës dhe sistemin juridik të Republikës së Shqipërisë.

"Pas muajsh të tërë bllokade të paligjshme dhe uzurpimi të Terminalit të Vlorës nga grupe kriminale, sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe.

Dëmet e konstatuara përfshijnë si inventarin e çmuar, të projektuar, porositur, prodhuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e aeroportit, ashtu edhe instrumentet, pajisjet dhe mjetet e punës që përbëjnë pronë private të kompanive nënkontraktuese", shkruan Behgjet Pacolli.

Miliarderi shqiptar nga Kosova, thekson se për më shumë se dhjetë muaj, këto grupe kriminale kanë vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin, me metoda të papranueshme dhe çnjerëzore, duke cenuar jo vetëm pronën private, por edhe rendin juridik dhe sigurinë e investimeve.

"Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional, ndërsa në raste të caktuara kanë tentuar të ndikojnë edhe procese gjyqësore, duke sfiduar hapur sistemin e drejtësisë në Shqipëri", shkruan ai.

Behgjet Pacolli i bën thirrje thirrje publike SPAK që të nisë menjëherë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ato që ai i quan ngjarje kriminale të ndodhura gjatë kësaj periudhe, pa asnjë dallim dhe pa asnjë mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës, ndikimit apo lidhjeve që mund të ketë.

"Është e domosdoshme të identifikohet dhe të vihet përpara përgjegjësisë i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në këto veprime të rënda, të cilat kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe imazhin e Shqipërisë si një vend që garanton shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e investimeve.

Po aq e rëndësishme është që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve, të kompanive kontraktuese dhe të çdo qytetari që beson tek puna, ligji dhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar", shkruan biznesmeni i MABCO.

Behgjet Pacolli përsërit dhe thekson se ai do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat e tij ligjore, pronën e tij dhe dinjitetin e njerëzve të punës, duke besuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese