Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Theth, ku prezantoi Paketën e Maleve, iu përgjigj për herë të parë deputetes Marjana Koçeku, e cila gjatë një daljeje televizive deklaroi se prishja me tritol e ndërtimeve pa leje në Theth ishte një pabesi.
Rama tha se janë plotësisht të pavërteta pretendimet se ai u ka premtuar banorëve se ndërtimet pa leje do të legalizoheshin. Sipas tij, ai ka folur vetëm për legalizimin e ndërtimeve ekzistuese dhe më të vjetra.
Kreu i qeverisë shtoi se pas vizitës së tij në Theth pati një valë ndërtimesh të paligjshme, duke dëmtuar, sipas tij zemrën e kësaj zone të mbrojtur.
Rama: Meqë është hera e parë që vij këtu pas tritolit që përmend ajo zonja. Është plotësisht e pavërtetë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë: ‘Vazhdoni e ndërtoni, se ne do t’i legalizojmë". Kjo është e pavërtetë, sepse nëse do ta kisha thënë, do të isha në shkelje të ligjit.
Unë kam thënë këtu që do të legalizojmë ndërtimet ekzistuese dhe se do të fillojmë nga ato më të vjetrat. Edhe ata që kanë ndërtuar kulla në një zonë si kjo, që është park natyror i mbrojtur, nuk kishin dokumente. Askush nuk mund t’ua regjistronte kullën në Hipotekë, sepse ndodhet në një zonë të mbrojtur dhe nuk mund të bëhej pronë e regjistruar.
Ata të parët që kanë investuar këtu, kanë qenë heronj. Ajo që unë kam thënë është që legalizojmë ndëritmet e vjetra. Ajo që ndodhi është që pas vizitës time, shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme. U arrit që të gotitet zemra e Thethit.
