Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sapo ka mbërritur në Shqipëri. Eskorta e presidentes është parë teksa kalon kufirin në një moment që shumë automjete të tjera, të veshura me flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë janë nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën “Liri për Çlirimtarët”.
Gjithashtu, katër autobusët e parë janë nisur nga një pikë në Prishtinë drejt Tiranës me protestuesit pro Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të marrin pjesë në tubimin e orës 17:00, në sheshin “Skënderbej”.
Priten që të marrin pjesë figura politike nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti dhe Edi Rama nuk do të jenë në tubim.
Protesta në Tiranë vjen pas dy protestave të mëdha të organizuara më parë në Prishtinë dhe Hagë, ku mijëra qytetarë kërkuan lirimin dhe drejtësinë për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
