Prokuroria e Fierit, ka mbyllur hetimet dhe ka dërhuar për gjykim dosjen e cila është në ngarkim të Milasin Ramajt, i cili ra në pranga në tetor të vitit 2025 pasi iu gjet një arsenal armësh në një magazinë.
Përmes një njoftimi prokuroria ka bërë të ditur se mbi Ramajn rëndon vepra penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Kujtojmë se çdo gjë nisi pasi Ramaj u ndalua nga policia teksa po lëvizte me automjetin e tij, nga kontrollet rezultoi se ai kishte të fshehur një armë zjarri tip pistoletë pa lejen përkatëse si edhe një shumë parash prej rreth 3 mijë e 500 euro, e më taj pas kontrolleve të mëtejshme, atij iu gjet një arsenal i tërë armësh, përfshirë këtu: 10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri pistoletë automatike, 2 silenciatorë, 9 karikatorë automatiku, 3 karikator pushke, 2 krehra pistolete, sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.
Hetimet evidentuar po ashtu se qëllimi i mbajtjes së këtyre armëve kishte gjasa të ishte shitja e tyre.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:
Iu gjetën arsenal armësh, fishekë dhe pajisje të posaçme luftarake me silenciator, Prokuroria e Fierit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin M.R.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin M.R, i akuzuar për kryerjen e veprës penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga neni 278, paragrafi 6, i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1586, të vitit 2025, rezultoi se, i pandehuri M.R., gjatë kohës që ishte në drejtimin e automjetit mbante 1 armë zjarri tip pistoletë, së bashku me 50 fishekë. Në vijim të veprimeve hetimore dhe kontrolleve të ushtruara në ambiente të përdorura prej tij, u sekuestruan po ashtu 12 armë të tjera zjarri, përkatësisht 10 automatikë model 56, 1 armë automatike e tipit "Skorpion" dhe 1 pistoletë, të gjitha në gjendje funksionale sipas ekspertimit teknik-balistik.
Gjithashtu, janë sekuestruan 465 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 14 krehëra armësh për automatikë, pushkë dhe pistoleta, si dhe 2 pajisje për zbutjen e zhurmës së armëve ("silenciatorë").
Në bazë të akteve të ekspertimit teknik-balistik, të gjitha armët dhe municionet e sekuestruara rezultuan në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për qitje. Hetimet evidentuan gjithashtu të dhëna që krijojnë dyshime se një pjesë e armëve mbahej me qëllim shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme, faktet këto që janë objekt hetimi në një procedim penal të ndarë.
Prokuroria Fier mbetet e angazhuar në goditjen e çdo forme të kriminalitetit që cenon rendin dhe sigurinë publike, veçanërisht të veprave penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe tregtimin e paligjshëm të armëve e municioneve.
Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, Prokuroria do të vijojë të ushtrojë me vendosmëri kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore për identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, me qëllim garantimin e rendit publik, rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe forcimin e besimit të publikut te drejtësia.
