Sot në orën 7:00, janë hapur qendrat e votimit për 334.539 mijë qytetarë të cilët do të votojnë në 5 bashki të vendit për zgjedhjet e pjeshme vendore.
Qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat e Tepelenë, ndërsa për drejtimin e këtyre bashkive janë në garë 13 kandidatë.
Qëndrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në oren 18:00, siç përcakton edhe Kodi Zgjedhor mbyllen qendrat e votimit, në rastet kur zgjedhjet caktohen në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor.
612 punonjës policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afërsisht 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 mijë.
Për herë të parë, në bashkinë e Tepelenës, pritet të aplikohet si test inteligjenca artificiale në numërimin e votave.
Kujtojmë se fushata zgjedhore kaloi në heshtje, pasi kandidatët i kanë zhvilluar takimet e tyre pa protagonizëm, ndërsa dy liderët e partive kryesore, Edi Rama dhe Sali Berisha nuk morën pjesë në asnjë miting.
PD dhe opozita zyrtarisht nuk kanë kandidatë të regjistruar nga partitë e tyre por kanë deklaruar mbështetjen për disa emra të cilët janë shpallur si të pavarur.
Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, për të cilën ka deklaruar mbështetjen edhe PD,në këtë bashki do të ketë edhe një kandidat të tretë, nën logon e partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet” , Eligert Hima.
Një garë treshe do të ketë edhe në bashkinë e Matit. Altin Bojni do të jetë kandidati socialist, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur, ish kryetarja e Gruas në PS-në lokale, Suzana Pasha. Ndërkohë që PD dhe opozita mbështet kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës. Po ashtu në Vlorë Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për kandidimin si kryebashkiake, do të garojë përballë dy demokratëve, kandidatit të mbështetur PD, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak, përsëri nga PD.
Në Berat, PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca, i cili do të jetë përballë Pavlo Shkarpës. Dhe në Tepelenë kandidati i PS Gramoz Sako, është në garë me të pavarurin të mbështetur nga PD Gabriel Guma.
