Pas akuzave dhe deklaratave të bëra gjatë ditës së sotme nga biznesmeni Behgjet Pacolli lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ka reaguar Shoqëria Koncesionare “Vlora International Airport- VIA” duke publikuar edhe pamje nga ngjarja e ndodhur në kantier.
Në reagimin e saj publik, VIA pretendon se persona të lidhur me kompaninë MABCO janë futur në ambientet e kantierit me një skenar të qartë për të krijuar tensione dhe përplasje. Sipas shoqërisë koncesionare, ata nuk kishin qëllim rifillimin e punimeve, por të bënin presion dhe të prodhonin një konflikt.
“Pamjet e sotme flasin vetë. Mabco nuk u paraqit në kantier me një plan pune, me procedurë, me autorizim të vlefshëm, me dokumentacion teknik, me koordinim institucional apo me një proces normal ndërtimor. Mabco u paraqit me persona të paautorizuar, me grumbullim, me dhunë dhe presion fizik dhe me një skenar të qartë për të prodhuar konflikt, përplasje dhe pamje mediatike”, thuhet në reagimin e bërë.
VIA nënvizon se është e vetmja bartëse e kontratës koncesionare për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa pretendon se MABCO nuk gëzon asnjë tagër ligjor për të ndërhyrë në administrimin apo kontrollin e projektit.
Reagimi i plotë:
Shoqëria Koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dënon me forcë ngjarjen e sotme në Kantierin/Zonën e Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Ashtu siç VIA paralajmëroi publikisht dhe institucionalisht, deklaratat e fundit të Mabco-s dhe të z. Behgjet Pacolli për një të ashtuquajtur “rikthim në kantier” nuk kishin si qëllim rifillimin real të punimeve, por krijimin e një incidenti artificial, dëmtimin e imazhit të shoqërisë koncesionare dhe ushtrimin e dhunës dhe presionit mbi institucionet dhe mbi administrimin ligjor të projektit.
Pamjet e sotme flasin vetë.
Mabco nuk u paraqit në kantier me një plan pune, me procedurë, me autorizim të vlefshëm, me dokumentacion teknik, me koordinim institucional apo me një proces normal ndërtimor. Mabco u paraqit me persona të paautorizuar, me grumbullim, me dhunë dhe presion fizik dhe me një skenar të qartë për të prodhuar konflikt, përplasje dhe pamje mediatike.
Ky nuk ishte rifillim punimesh.
Ky ishte një akt i pastër presioni, sulmi dhe vetëgjyqësie.
Mabco nuk punoi kur kishte detyrimin të punonte, kur duhej të zbatonte kontratat, kur duhej të respektonte afatet, standardet dhe përgjegjësitë e saj. Sot, në vend që të japë llogari për dështimet dhe shkeljet e saj, tentoi ta shndërrojë kantierin e Aeroportit të Vlorës në skenë konflikti publik, me qëllim të vetëm dëmtimin e reputacionit të VIA-s dhe krijimin e perceptimit të rremë se kontrolli i projektit mund të merret me forcë.
VIA sqaron opinionin publik se bartëse e vetme e Kontratës Koncesionare/PPP për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është Shoqëria Koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k.
MABCO nuk është koncesionari.
MABCO nuk është Autoriteti Kontraktor.
MABCO nuk është organ administrues i VIA-s.
MABCO nuk ka asnjë tagër të hyjë në kantier, të komandojë staf, të ushtrojë presion, të thërrasë palë të treta apo të imponojë me forcë një situatë faktike jashtë ligjit dhe jashtë Kontratës Koncesionare.
Asnjë pretendim kontraktor, tregtar apo shoqëror nuk i jep të drejtë askujt të sulmojë dhe të ushtrojë presion mbi stafin e shoqërisë koncesionare, të pengojë aktivitetin e ligjshëm të VIA-s apo të krijojë kaos të qëllimshëm në një projekt strategjik kombëtar.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës nuk është pronë e Mabco-s.
Nuk është skenë për propagandë personale.
Nuk është instrument për të mbuluar dështime kontraktore.
Nuk është hapësirë ku ligji zëvendësohet me turmë, sulme, presione dhe kamera.
VIA u bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të dokumentojnë çdo veprim të kundërligjshëm të ndodhur sot dhe të garantojnë menjëherë rendin, sigurinë dhe paprekshmërinë e kantierit/Zonës së Koncesionit.
VIA do të vijojë të mbrojë me çdo mjet ligjor stafin e saj, kantierin, integritetin e projektit dhe interesin publik që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Aeroporti i Vlorës do të përfundohet përmes ligjit, kontratës dhe institucioneve — jo përmes presionit, vetëgjyqësisë dhe propagandës.
Shoqëria Koncesionare
“Vlora International Airport – VIA” sh.p.k

