Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar publikisht pas vendimit për shpalljen “person i padëshiruar” të Ikballe Hudutit në Shqipëri. Huduti është ndaluar të hyjë në territorin shqiptar për një periudhë 15-vjeçare, për arsye të sigurisë kombëtare dhe rendit publik.
Në reagimin e tij, Lamallari theksoi se shteti nuk vepron ndaj protestuesve, por do të ndërhyjë ndaj çdo forme urrejtjeje apo ekstremizmi që rrezikon rendin dhe sigurinë. Ai u shpreh se bindjet ekstremiste nuk kanë vend në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s dhe që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Mesazhi i plotë:
Mos merremi me protestuesit?!
Jo! Jo vetëm nuk merremi me asnjë protestues si i tillë, por përpiqemi t’i dëgjojmë të gjithë ata që janë sinqerisht të shqetësuar.
Por patjetër që do të merremi me çdo urrejtje nxitës dhe ekstremist, si kjo zonja që bindjet e saja mund t’i mbajë për vete jashtë Shqipërisë të paktën 15 vitet e ardhshme!
Sepse në Shqipërinë vend anëtar i #NATO-s dhe së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian, nuk ka vend për khameneizmi është baraz me terrorizmin, ekstremizmin, obskurantizmin!
Një turp më vete edhe përzierja e emrit të kryeministrit të nderuar të Kosovës në përroin psiqik të kësaj zëdhënëseje të një shteti të shpallur me konsensus shtet terrorist nga Kuvendi i Shqipërisë.
