Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, nga Korça ka dhënë detaje në lidhje me aksionin e mëngjesit të sotëm, ku pas të shtënave me armë humbi jetën efektivi Ene Mekolli dhe mbeti i plagosur rëndë punonjësi tjetër i policisë, Edison Adri.
Hita tha se policia ka shkuar në fshatin Lozhan pas informacioneve të marra se në këtë zonë fshihej 43-vjeçari i shpallur në kërkim, Violand Braçellari.
Policia i ka bërë thirrje për dorëzim, por Braçellari ka hapur zjarr, duke lënë të vdekur 34-vjeçarin Ene Mekolli dhe duke plagosur rëndë Edison Adrin.
Hita: Në orën 07:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.Për kapjen e Braçellarit janë organizuar disa aksione, por deri tani nuk është bërë e mundur lokalizimi i tij.
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij.
Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor. I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër, Edison Adri.

